Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga vdekja misterioze e 16-vjeçares shqiptare Maria, në Trikala të Greqisë. Në policinë greke ka mbërritur një dëshmi e re, që tregon momentet e fundit të adoleshentes, para se të ndodhte ngjarja tragjike.
“Voice.gr” raporton se një vajzë e re i është drejtuar avokatit të familjes së viktimës dhe i ka thënë se e ka parë këtë të fundit në orën 03:45, në rrugën “Athanassiou Diakou”, gjysmë ore pasi polici 27-vjeçar pretendohet se e la atë (regjistruar nga kamerat lokale në orën 03.15) dhe disa metra larg shtëpisë së saj. Sipas kësaj dëshmitareje, Maria ka qenë e mërzitur duke qarë.
Nga ana e tyre, familjarët e viktimës apelojnë te kushdo që ka parë ndonjë gjë tjetër atë natë nga e marta në të mërkurë të kontaktojë avokatin e saj dhe të vijë për të dëshmuar.