‘Liberalizimi’ i testimeve serologjike/ Çfarë i tregon qytetarit kjo analizë

0

Nuk dimë nëse është situata e krijuar, domosdoshmëria për t’i parë disa të vërteta ashtu siç janë apo presioni, por qeveria është tërhequr nga “monopoli” i testeve duke i liberalizuar ato.

Më shumë se 4 muaj nga fillimi i pandemisë, testet e gjakut apo testet serologjike do të mund të kryhen edhe nga laboratorët privatë që do të autorizohen nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Të dielën, në komunikimin ditor, përfaqësuesja e Task-Forcës njoftoi vendimin duke bërë me dije po ashtu se një pjesë e testeve në popullatë do të kryhen nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon edhe përfshirjen e institucioneve jopublike për rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike, me kushtin që të jenë të validuara. Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen për sa i takon validimit dhe performancës nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkohë, do të vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik”, tha Rovena Daja.

Testet serologjike tregojnë nëse e keni kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2. Por sipas ekspertëve, që të prodhohen antitrupat duhet që të kenë kaluar deri në 3 javë nga infeksioni, shkruan Panorama.

Pra, analizat serologjike u japin mundësi qytetarëve që të mësojnë nëse kanë qenë të infektuar apo jo, por nuk tregojnë gjendjen aktuale. Për këtë të fundit shërbejnë tamponët dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim për kryerjen e tyre nga institucionet private në vend.

Nga ana tjetër, rezultatet e testeve serologjike përveçse i japin përgjigje dyshimit të kahershëm se virusi ka qarkulluar më herët, janë me rëndësi edhe për trajtimin e sëmundjes.

Plazma e gjakut e marrë nga pacientët që e kanë kaluar sëmundjen, është një ndër metodat e trajtimit që po aplikohet sot nga vendet e goditura më së shumti prej pandemisë.

Artikulli i mëparshëmLot dhe fraza shokuese/ Kanye West nis tubimin e tij të parë së fushatës presidenciale
Artikulli i radhësSHBA: Thirrje BE-së që të liberalizojë vizat me Kosovën