Trump: Mbajtja e maskës është vullnetare … ja pse u rrit numri i të infektuarve

0
Trump: Mbajtja e maskës është vullnetare ... ja pse u rrit numri i të infektuarve

Presidenti Donald Trump thotë se ai e mbështet idenë që amerikanët të përdorin maskat për frenimin e pandemisë, por nuk dëshiron ta bëjë këtë të detyrueshme për të gjithë vendin.

‘Unë besoj te maskat,’ tha Presidenti Trump në një intervistë në Shtëpinë e Bardhë të transmetuar në programin televiziv ‘Fox News Sunday’.

‘Mendoj se maskat bëjnë mirë,’ u shpreh ai.

Por presidenti, i cili për herë të parë vuri maskë në publik vetëm një javë më parë, i tha gazetarit Chris Wallace: ‘Nuk jam dakord me idenë se nëse të gjithë mbajnë maska, gjithçka zhduket’.

Edhe pse disa nga të 50 guvernatorët e shteteve amerikane dhe kryebashkiakët e qyteteve të mëdha kanë nxjerrë urdhra që njerëzit të mbajnë maska përballë shtimit të shpejtë të rasteve me koronavirus, Presidenti Trump tha se beson që vënia e maskës duhet të jetë diçka vullnetare.

‘Unë dua që njerëzit të kenë një liri të caktuar dhe nuk jam që kjo të shndërrohet në një kërkesë ligjore,’ tha ai,

Presidenti vuri në dukje se Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i vendit për sëmundjet infektive dhe Mjeku i Shtëpisë së Bardhë Jerome Adams, këshilluan që njerëzit të mos mbanin maska në ditët e para të përhapjes së virusit në SHBA në fillim të këtij viti.

Por prej kohësh ata kanë ndryshuar këshillë dhe tani vazhdimisht bëjnë thirrje që njerëzit të mbajnë maska.

‘Doktor Fauci tha të mos mbanim maska,’ u shpreh Presidenti Trump. ‘Edhe mjeku ynë i Shtëpisë së Bardhë, një djalë i shkëlqyer, tha se nuk duhet të mbanim maska. Të gjithë ata që thanë mos mbani maska, tani papritur po kërkojnë që të gjithë të mbajnë maska, dhe siç e dini edhe maskat shkaktojnë probleme,’ tha Presidenti.

Më shumë se 70,000 raste të reja me koronavirus janë regjistruar çdo ditë në SHBA këto ditët e fundit. Gjithsej, ka patur më shumë se 3.7 milion infeksione dhe më shumë se 140,000 amerikanë kanë vdekur nga COVID-19. Shifrat në SHBA janë shumë më të larta se në çdo vend tjetër.

Presidenti Trump e pranoi faktin që ka patur rritje të rasteve me koronavirus, por tha se sëmundja do të vihet nën kontroll.

Ai tha se shumë nga ata që e marrin virusin janë të rinj që do të shërohen shpejt.

Presidenti Trump përsëriti se numri i infeksioneve të konfirmuara me koronavirus në SHBA po rritet për shkak të mijëra testimeve që janë kryer, edhe pse rritja e numrit të të infektuarve e ka kaluar ritmin e testimeve.

I pyetur se përse Shtëpia e Bardhë është përpjekur të diskreditojë Dr. Faucin, Presidenti Trump tha se Dr. Fauci bëri disa gabime, por shtoi se ai personalisht ka një ‘marrëdhënie të shkëlqyer’ me të.

Presidenti refuzoi të pranonte gabimet e bëra në fillim të pandemisë, duke përfshirë një koment se koronavirusi ‘thjesht do të zhduket’, nga 15 raste në zero.

‘Një ditë do të më japin të drejtë,’ deklaroi ai. ‘Unë kam pasur të drejtë ndoshta më shumë se kushdo.’

Ekspertët e shëndetësisë parashikojnë se dhjetëra mijëra amerikanë të tjerë do të vdesin nga pandemia në muajt e ardhshëm. /Zëri i Amerikës

Artikulli i mëparshëm“Ata u larguan të mërzitur”/ Ç’ndodhi mes Merkel e Macron? Ja mosmarrëveshjet që po ndajnë udhëheqësit e BE-së
Artikulli i radhësAmbasadorja e SHBA mesazh fortë Ramës: Nuk mbështesim këtë pengmarrje