Gjendet i vdekur i dyshuari për vrasjen e djalit të gjyqtares Esther Salas dhe plagosjes së burrit të saj në shtëpinë e tyre në New Jersey.
I dyshuari tani është identifikuar si Roy Den Hollander, një avokat nga Manhattani, shkruan ABC.
Trupi i Den Hollander u zbulua në një makinë nga një punonjës komunal në qytetin Rockland, New York.
Ai vdiq nga një plagë e dukshme vetë-shkaktuar me armë, thanë burimet për ABC News.
Në makinën e tij u gjet një pako e FedEx drejtuar gjyqtares Salas. Zëdhënësi i FedEx, Jim Masilak tha në një deklaratë: “Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e mediave dhe po bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet hetuese”.
Ditën e dielë pasdite, një njeri i armatosur trokiti në derën e shtëpisë së familjes së gjyqtares Salas. Djali i saj Daniel Anderl iu përgjigj derës dhe u qëllua i pari, para se të qëllohej edhe babai i tij. Vetë Salas nuk u lëndua në sulm.
“Si gjyqtare, ajo kishte kërcënime herë pas here, por të gjithë thonë se kohët e fundit nuk kishte pasur asnjë”– tha kryebashkiaku Womack, i cili është mik personal i gjyqtares dhe burrit të saj.
Autoritetet po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje midis atyre kërcënimeve të para dhe të shtënave, apo nëse ngjarja lidhet me punën e burrit si avokat mbrojtës penal.
Në një rast të vitit 2015 para Salas, Den Hollander përfaqësonte një grua që dëshironte të regjistrohej për draftin ushtarak. Ai u zëvendësua në qershorin e kaluar përpara se çështja të zgjidhej plotësisht.
Den Hollander më parë kishte hedhur në gjyq klubet e natës në Manhattan pse favorizonin gratë duke ofruar zbritje vetëm për zonjat dhe ka paditur qeverinë federale për një ligj që mbron gratë nga dhuna. Ai gjithashtu ka hedhur në gjyq Universitetin Columbia për ofrimin e kurseve të studimeve për gratë, duke akuzuar shkollën se ka përdorur ndihmë qeveritare për të mësuar një “sistem besimi fetar të quajtur feminizëm”.
Gjyqtarja Salas sapo kishte marrë përsipër çështjen e sjellë nga investitorët e Deutsche Bank.