Mbretëria e Bashkuar do të përballet me pasoja, nëse vazhdon “të ndjekë rrugën e gabuar” sa i përket Hong Kongut, paralajmëroi Kina.
Të hënën, Mbretëria e Bashkuar pezulloi traktatin e ekstradimit me Hong Kongun, për shkak të një ligj të ri të sigurisë në ish-koloninë e saj, i cili i jep Pekinit më shumë fuqi.
Në përgjigje, ambasadori kinez në Londër tha se Mbretëria e Bashkuar “ka ndërhyrë qartazi” në punët e Kinës.
“Kina asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Mbretëria e Bashkuar duhet ta bëjë të njëjtën gjë me Kinën”, tha ambasadori Liu Xiaoming.
Ditë më parë, kryeministri britanik, Boris Johnson, u zotua se do t’iu ofrojë tre milionë banorëve të Hong Kongut mundësinë për t’u vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, duke u lejuar atyre që të aplikojnë edhe për nënshtetësinë britanike.
Ky veprim ka ardhur pasi Pekini ka miratuar një ligj të ri të sigurisë në Hong Kong, në fund të qershorit, i cili kriminalizon një mori veprash.
Sipas kritikëve, ligji mund të bëjë që protestuesit pro demokracisë në rajon të vuajnë dënime të përjetshme.
Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të sistemit “një shtet, dy sisteme”.
Me këtë kornizë, qyteti i Hong Kongut ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por thuhet se Ligji i sigurisë kombëtare tani e dëmton atë.