Britania e Madhe do të jetojë me koronavirusin për shumë vite me radhë. Madje as vaksina nuk do ta eliminojë atë përfundimisht, paralajmërojnë ekspertët.
Drejtori i ‘Wellcome Trust’, profesor Sir Jeremy Farrar tha në Komisionin e Shëndetit në Parlamentin Britanik se gjërat nuk do mbarojnë deri për Krishtlindje. Ai shkoi edhe më tej kur tha se njerëzimi do të jetojë me këtë virus për dekada.
Komenti i tij vjen pasi kryeministri tha javën e shkuar se shpreson që gjërat të kthehen në normalitet për Krishtlindje. Boris Johnson i bëri komentet e tij teksa prezantoi planet për lethësimin e mëtejshëm të kufizimeve.
Por ekspertët që dhanë dëshmi përpara një grupi deputetësh thanë se është e rëndësishme të jemi realistë se virusi do të jetë sërish aty.
Sir Jeremy, anëtar i SAGE, një grup këshilltarësh pranë qeverisë, tha se bota do të jetojë me Covid-19 për ‘shumë, shumë vite në vazhdim’.
“Gjërat nuk do të mbarojnë për Krishtlindje. Infeksioni nuk do të zhduket, tashmë është kthyer në infeksion endemik njerëzor. Edhe nëse do kemi një vaksinë apo një kurë shumë të mirë, njerëzimi sërish do të jetojë me virusin për shumë, shumë vite… për dekada me radhë”.
Ai tha se duhet të bëhet kujdes gjatë verës, duke theksuar se kjo është një fazë e rëndësishme për të parandaluar një valë të dytë. Ai shtoi se është e rëndësishme të shtohen kapacitetet e testimit, si dhe të investohet për kurat dhe vaksinën./BBC