“Marca” ka bërë një studim për lojtarët më të shtrenjtë në Serinë A. Gazeta spanjolle është fokusuar tek vlerat e futbollistëve sipas “Transfermarket” por duke u mbështetur edhe tek mosha dhe performanca.
Lojtari më i shtrenjtë në kampionatin italian është Paolo Dibala. Argjentinasi mbërriti tek Juventusi pesë vite më parë nga Palermo. Vlera e sulmuesit tani është 72 milionë euro, ndërsa në 2018 ishte 110 milionë euro.
Në vendin e dytë si lojtari më i kushtueshëm ndodhet Romelu Luaku. Sulmuesi belg vlerësohet 68 milionë euro, 3 milionë më shumë sesa Interi pagoi për të vitin e kaluar.
Podiumin e mbyll një tjetër lojtar i Interit, Kristian Eriksen. Danezi tani vlerësohet 68 milionë euro, kurse zikaltërit e blenë nga Totenhemi për vetëm 20 milionë euro.
Në vendin e katërt ndodhet mbrojtësi i Juventusit, Matijas De ligt. Hollandezi ka një rënie në vlerë, pasi tani kushton 67 milionë euro. Juventusi e bleu nga Ajaksi për 85.5 milionë euro.
Pesëshen e futbollistëve më të shtrenjtë në Serinë A e mbyll sërish një Interist. Lautaro Martinez tani vlerësohet 64 milionë euro, me Interin që e bleu nga Rasing Klub për 25 milionë euro.
Kristiano Ronaldo rënditet i 7 pas Milinkoviç Saviç. Portugezi tani vlen 60 milionë euro.