“Qëndroj te Milani, por dua edhe Ibrën”, rrëfimi special i Rebiç: Juventinët dinë vetëm të… qajnë

0
Rebic

Një gol çdo 100 minuta dhe shumë sakrifica për Milanin. Ky përshkrim përputhet më së miri me Ante Rebiçin, që në një intervistë për “SportWeek” ka bërë një rrëfim 360 gradë lidhur me përvojën kuqezi. Një fazë më parë kishte luajtur vetëm 64 minuta dhe hamendësohej rikthimi në Gjermani, por në 6 muaj ka ndryshuar gjithçka e jo vetëm në aspektin e golave.

Çfarë ndodhi me ju që pësuat këtë metamorfozë?

Ka dy Rebiç. Ai në jetën private është shumë i qetë dhe i mbyllur si tip, ndërsa në fushë është një Ante tjetër që ua çan kokën të gjithëve.

Më kë grindeni më tepër?

Varet. Nëse arbitri vërshëllen vetëm kundër ekipit tim, nuk rri dot i qetë. Dukem sikur jam gjithë kohës me nerva, por në fakt jam një njeri i duruar.

Mbase, por në shkollë thuhet se ishit keq me mësime?

Nuk është e vërtetë, mbase nuk kam shkëlqyer, por detyrimin tim e kam kryer. Jam diplomuar për ekonomi. Nuk e kam pasur të lehtë, por familja më ka mbështetur. Tani kam një tjetër orientim dhe ai është sporti.

Si e shpjegoni shpërthimin tuaj?

I njoh cilësitë e mia. Jam i fortë fizikisht, jam i shpejtë dhe luaj me të dyja këmbët. Po ju jap një shembull: në ndeshjen kundër Juves e qortova Higuainin, sepse nuk i duroj dot ata që qëndrojnë tri minuta në tokë sa herë pësojnë një goditje. Edhe Bernardeski vepron ashtu, veç qurravitet. Shikoni Ibrahimoviçin. Merr një tufë shkelma, por çohet gjithnjë pa u ankuar.

Në sfidën me Juven patët një debat edhe me juventinë të tjerë?

Po, e vërtetë. Qortova Higuainin, por replikoi Shezni duke më kujtuar se po humbisja 2-0 e që nuk duhet të sillesha si fenomen. Për pak desh iu përgjigja, sepse nuk më pëlqen të më nënvlerësojnë, por atë mbrëmje nuk hapa gojë. Përgjigjen ia dhashë me golin e 4-2. Kjo është forca ime, kush më sulmon, më bën që të jap më të mirën.

A ju ka ndodhur herë të tjera që t’ju nënvlerësojnë?

Para dy vjetësh në finalen e Kupës së Gjermanisë. Po stërviteshim para ndeshjes në “Olympiastadion” të Berlinit. Pas nesh e kishte radhën Bajerni, finalistja tjetër. Po flisja me një shok skuadre dhe Tiago Alkantara m’u afrua e më tha: Bari është i përsosur, ditën tjetër as që ke për ta parë topin. Nuk fola, por mendova me vete: Mbase nuk fitoj finalen, por ty do të të vras. Në fakt fituam 3-1 dhe shënova dy gola.

Ju e njihni mirë Ralf Rangnikun. Çfarë mund të na thoni për të?

Gjatë Botërorit në Brazil kisha luajtur mirë dhe u interesua për mua. Erdhi të më takonte deri në Firence kur më dha mirëseardhjen në ekipet “Red Bull”. Më kërkoi të zgjidhja mes Salcburgut dhe Lajpcigut.

Çfarë bëtë ju?

Zgjodha Lajpcigun, megjithëse luanin në Bundesligën 2. Projekti që vetë Rangnik më prezantoi ishte fantastik dhe faktet i dhanë të drejtë. Për hir të së vërtetës, te Lajpcigu luaja pak, sepse trajneri Aleksander Zorniger kishte një grup lojtarësh të besuar e për të rinjtë nuk kishte shumë hapësirë.

Kthesën e madhe e bëtë në Frankfurt me Luka Joviçin, një sulmues që Milani thuhet se e ndjek.

Këtë aspekt nuk e komentoj dot, aq më tepër që Luka nuk ka firmosur asgjë. Gjithsesi nuk ka përfunduar rastësisht te Reali i Madridit. Në Spanjë nuk ka pasur fat, sepse është dëmtuar e nuk di çfarë ka ndodhur në mendjen e tij. Imazhi që i kanë dhënë mediat nuk përkon me realitetin. Joviç është vërtetë një sulmues shumë i fortë. Në Gjermani na quanin “jugo”, nëpër Europë “sllavë”, por ai është serb e unë kroat dhe jemi shumë të ndryshëm.

Nga krah Joviçit, në krah të Ibrahimoviçit. Cili është roli i preferuar nga ju?

Që të luaj krah Zlatanit, i cili zotëron çdo top e të krijon hapësira. Sa herë që sulmoj, e di se Ibra do të fitojë duelin personal e do të kemi një mundësi për të shënuar.

Nëse vjen Rangnik, a do të ketë hapësirë për Ibrën te Milani?

Çdo ekip ia ka nevojën një lojtari të tillë. Zlatani është lideri ynë. Para ndeshjes me Juventusin na tha se do t’u tregonte rivalëve se si luhej futboll. Ishte mënyra e tij për të na dhënë kurajo. Ibra i ka dhënë shumë secilit prej nesh, ndaj kur ai flet askush nuk pipëtin. Gjithsesi, kur nuk jam dakord, ia them edhe unë. (qesh)

Ibra ka rëndësi, por thuhet se zgjodhët Milanin prej Bobanit. Ashtu është?

Po, Zvone ishte vendimtar. Më telefonoi edhe pas fitores me Juventusin. Ishte i lumtur për mua që po tregoja se nuk kishte gabuar kur këmbënguli për të më sjellë te Milani. Mund të kisha shkëlqyer që në Itali te Fiorentina, por Montela nuk fliste anglisht e as unë italisht, ndaj ndoshta është shenjë që ajo aventura në Itali duhet të ishte e suksesshme pak vite më vonë me Milanin. (qesh)

E të mendosh që në ndeshjet e para dukej sikur aventura juaj i kishte ditët e numëruara…

Me Xhampaolin nuk kam folur kurrë, por as nuk isha dorëzuar. Në janar shkova në Frankfurt për të shitur shtëpinë, shumë gazeta shkruan se do të rikthehesha. Të afërmve u kam thënë gjithmonë se doja të zhvilloja 4-5 ndeshje radhazi e do të bëja hapa prapa nëse e kuptoja se kjo përvojë nuk ishte për mua. Nuk doja të largohesha nga Milani pa m’u dhënë një shans. Kur erdhi dita ta kap, dhe ja ku jam.

Sipas jush, çfarë i mungon Milanit?

Në vitet e fundit janë ndryshuar shumë drejtorë, trajnerë e lojtarë. Në futboll vazhdimësia është shumë e rëndësishme.

Çfarë ka ndryshuar te Milani pas izolimit për shkak të “COVID”-it?

Sezoni nisi me vështirësi dhe në 3-4 muajt e parë çdo gjë shkonte keq. Te Milani ka shumë lojtarë që kanë luajtur mirë kudo që kanë qenë. Duhej të mësoheshim me njëri-tjetrin. Sot njihemi më mirë në fushë dhe e di se si pason Kastijeho apo se çfarë do të bëjë Benaseri. Forcën tonë e tregon edhe fakti se në 10 ditë mundëm Romën, Lacion dhe Juventusin.

Cili është plani juaj për të ardhmen?

Po më pyesni a do të qëndroja te Milani? E kam thënë edhe më parë, patjetër që do të qëndroja.

Artikulli i mëparshëm“Fuqi ekstra për Milanin”, Donaruma: Ibra është një bishë! Nuk do të humbasë as në stërvitje
Artikulli i radhësU sulmua në dhomat e zhveshjes për një top të humbur, lojtari nuk dëshiron të luajë më për Romën