Prokuroria e Posaçme SPAK ka përfunduar hetimin e nisur ndaj gjyqtarit të Shkallës së Dytë të vetingut, Luan Daci.
Burime pranë SPAK konfirmuan se ndaj tij është ngritur akuza për “falsifikim të dokumenteve”. Këtë të premte, në orën 13:00, Daci është thirrur për t’u paraqitur në SPAK për njoftimin e akuzës dhe marrjen e tij zyrtarisht si të pandehur.
Pas këtij momenti procedurial, dosja do të dërgohet te gjyqtari paraprak, i cili do të vlerësojë për kalimin e saj në gjykim, pushimin, apo kthimin për plotësim të hetimit.
Sipas SPAK, ai ka paraqitur të dhëna të rreme, kur ka aplikuar për t’u bërë pjesë e trupës së KLP në vitin 2017, duke mos deklaruar faktin se kishte një masë disiplinore “largim nga puna”.
Hetimi ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nisi në janar të këtij viti. Ai u kallëzua nga ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, i cili u shkarkua nga detyra nga një Kolegj ku bënte pjesë edhe Daci.
Për llogari të hetimit, pesë muaj më vonë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për pezullimin e tij nga detyra. Pezullimi u rrëzua nga Apeli i Posaçëm në fillim të qershorit, vendim që ktheu në detyre gjyqtarin Daci. Në të dy përballjet me gjykatën Daci ka mbajtur qëndrim mohues në lidhje me akuzën.