Kompania publike Albpetrol shiti 48 mijë ton për një vlerë rreth 10 milionë euro tek Allum Enterprises. Pas një sërë ankandeve të dështuara për mungesë interesi dhe prej situatës së COVID-19 duket se në ankandin e fundit ishin të paktën dy oferta.
“Operatori ekonomik “Allum Enterprises” sh.a., ka ofruar për këtë ankand cmimin: Në pikat e levrimit të Albpetrol sh.a. 73.3% e cmimit Brent – 2.71 $/bbl + K K = 1.0605 $/bbl
Bashkimi i Operatorëve ekonomik “R.B.H Beline” sh.a. dhe “Al Global Oil” sha, ka ofruar për këtë ankand cmimin: Në pikat e levrimit të Albpetrol sh.a. 73.3% e cmimit Brent – 2.71 $/bbl + K K = 0.01 $/bbl” thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kjo e fundit kërkon nga Allum Enterprises si fituese që të paguajë shumën prej 123 milionë lekësh si sigurim kontrate për masën 10 për qind të totalit të saj.
Allum Enterprises u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2017 dhe është një kompani që ka në objekt të aktivitetit të saj hidrokarburet duke përfshirë shitje, shkëmbim, eksport, shfrytëzim, përpunim të rafinerisë.
Në maj të vitit 2019 Allum Enterprises Limited e regjistruar në Angli dhe që zotëronte 100 për qind të kuotave në Shqipëri i shiti ato tek Mercado Exterior.
Albpetrol për ankandin
Albpetrol bëri me dije se realizimi me sukses i ankandit vjen në një moment shumë të rëndësishëm për industrinë e naftës në Shqipëri.
“Pas bllokimit disa javor për mungesë të kapaciteteve depozituese dhe uljes të konsumit të shkaktuar nga Pandemia e COVID-19, realizimi me sukses i kësaj kontrate do t’i japë frymëmarrje jo vetëm Albpetrol sh.a, por edhe kompanive të tjera të prodhimit dhe përpunimit naftës në vend. Kjo pasi do të lirohen kapacitetet depozituese; do të rifillojë prodhimi i karburantit në vend dhe industria e naftës do të rikthehet në normalitetin e saj operacional”.