Parime biofizike mbi Covid-19

0

Nga Petrit Demiraj

Në momentin që dukej sikur situata në lidhje me pandeminë po shkonte drejt përmirësimit, po ndodh e kundërta. Kemi nje rikthim në shkallë botërore te tij dhe jo në vjeshtë por tani në mes të stinës së ngrohtë të verës . Rreth dukurive që shoqërojnë këtë pandemi dhe rrjedhimisht edhe rreth masave që jane rekomanduar edhe nga institucionet më përfaqësuese botërore të shëndetësisë, ka pasur një konfuzion të plotë. Kjo ka ndikuar jo pak në rezultatet e luftës ndaj tij.

Opinionet pafund qe jepen rreth kësaj pandemie në këto institucione por edhe ato mediatike, pothuaj gjithmonë jepen vetëm nga specialistët e mjekësisë. Sigurisht, që nga momenti i kontaktit te këtij mikroorganizmi me paretet e mushkërisë aktivizimi, shumimi dhe gjithë komplikacionet që shkaktohen në organizmin e njeriut, lufta ndaj tij, përpjekjet për ta dominuar atë , rritjen e mjeteve ndihmese per organizmin me qellim fitoren mbi infeksionin dhe mbijetesen e organizmit, janë të gjitha terene të ekipeve mjekësore dhe institucioneve të tyre.

Por shumë fenomene rreth kësaj pandemie janë dukuri fizike, larg leksioneve të mjekësisë, të tilla si:

Shkëputja e këtyre grimcave mikrometrike nga lëngjet viskoze të mukozes së mushkërisë dhe dalja e tyre në mjedis.

Trajektorja e lëvizjes dhe koha e qëndrimit pezull në ajër.

Mundësitë e kalimit nëpër barrierat penguese si psh maska, dhe mberritja e tij në paretet e mushkërinsë se një individi tjetër, etj.

Ditën e parë të mbylljes nga pandemia në mars, në tabelën e këshillave qe u dhamë punonjësve tanë, kryesorja dhe në formën më rigoroze ishte mbajtja e maskave si mjeti më i domosdoshëm për mbrojtjen nga ky infeksion, pavarësisht nga udhëzimet e institucioneve. Në atë kohë jo vetëm mjekët tanë por edhe institucionet perëndimore nuk e rekomandonin si të domosdoshëm përdorimin e maskës.

Po veçojmë disa nga këto dukuri përcaktuese për ecurinë e pandemisë.

Cikli jetësor i këtij virusi është i përcaktuar nga zhvendosja e tij nga një mushkëri tek tjetra nëpër individë të ndryshëm. Kjo shpërndarje përbën një rrjet shumëdimensional (nuk po e quajmë zinxhir). Dominimi i pandemisë kërkon patjetër shkatërimin e këtij rrjeti.

Vendndodhja e tij në mukozën me lëngje viskoze të mushkërisë është mjaft e qëndrueshme. Ai nuk mund të dalë që aty në sajë të proceseve të avullimit, pra të frymëmarrjes.

Teshtima është një reagim i fuqishëm fiziologjik i lidhur me nevojën e organizmit për të pastruar rrugët e frymëmarrjes në sajë të indikacioneve kontrolluese. Bllokimi i sipërm dhe trysnia relativisht e madhe brenda mushkerisë bën që në momentin e “shpërthimit” të dalin në mjedis një fluks i madh piklash lëngu me madhësi në spektër shumë të gjërë dhe me energji të konsiderueshme. Piklat e mëdha që përmbajnë ngarkesë të madhe infektive, shkojnë në distancë të madhe deri 4-5 m. Ato nuk qëndrojnë pezull dhe bien menjëherë. Ndërsa piklat e vogla paraqiten më të rezikshme pasi qëndrojnë më gjatë pezull dhe janë lehtesisht të depërtueshme në organët e frymëmarrjes nëpermjet ajrit . Dimensionet e tyre në përgjithsi  janë  më të mëdha se dritaret e formuara nga fijet me të cilat është endur maska.

Pothuaj i njëjti process fiziologjik është edhe kolla por ndryshon nga fuqia dhe përmasat e procesit. Ajo zhvillohet në një pjesë më të kufizuar të rrugëve të frymëmarrjes dhe materiali infektiv që del është më i pakët.

Por më me interes dhe më pak i diskutuar është procesi i të folurit, zëri ynë. Tingujt prodhohen si rezultat i daljes së gazit karbonik nën trysni në pjesë të ngushtuara të rrugëve të frymemarrjes, kryesisht tek kordat e zërit. Ato janë parete fibroze elastike të afta të dridhen me frekuenca mjaft të larta të spektrit akustik. Pikërisht kjo dridhje, lëkundje e shoqëruar me përshpejtim të lartë, në vartësi të frekuencës (tingujt e trashe apo te hollë), dhe të volumit të zërit, bën të mundur shkëputjen prej tyre të piklave me infeksion, por shumë më të vogla se në rastet e para. Të tilla pikla qëndrojnë gjatë në ajër, ndikohen shumë nga rrymat e tij duke qarkulluar dhe qëndruar pezull. Në këtë mënyrë ato zhvendosen  larg, përmasat e tyre janë të krahësueshme me poret e maskës duke përbërë kështu rrezikshmërinë më të lartë në mjedisin ku ndodhen.

Në mungesë të rrymave të ajrit, këto pikla do të bien poshtë pas një kohe që varet nga madhësia e tyre. Ato me diametër deri në rreth 5 mikrometër qëndrojnë gjatë në ajër. Në përgjithësi janë tepër të mëdha për tu ndikuar nga goditjet e molekulave të ajrit. Nuk mendohet se mund të shkëputen pikla të përbëra nga një virus i vetëm pra në përmasat e tij rreth 100 nm.

Por në përgjithësi trajektorja e tyre përcaktohet nga rrymat e ajrit. Në mjediset e brendeshme këto rryma krijohen nga plot faktorë sic jane korrentet nga dritaret dhe dyert, lëvizja e njerëzve, konveksioni termik i ajrit të nxehtë nga paisjet ngrohese, ventiliatorët, etj. Ndërsa automjetet paraqitin rrezikshmeri të lartë për shkak të qarkullimit të vazhdueshëm të ajrit brenda tyre.

Debat ka pasur edhe për kondicionerët. Janë dy faktorë që e vendosin kondicionerin në paisjet që këshillohen të mos përdoren. I pari është biologjik, pasi ulja e temperaturës së ajrit, rrjedhimisht të organizmit tonë mushkërisë, ul ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të organizmit, imunitetin. Ndërsa faktori i dytë lidhet me qarkullimin e vazhdueshëm të ajrit, pra të ventilimit që shkakton kondicioneri.  Nuk ka lidhje ndërrimi i filtrave pasi kondicioneri nuk fut ajër nga jashtë.

Përhapja e shpejtë në zonat urbane me ndotje atmosferike mund rë spiegohet edhe me një dukuri tjetër fizike. Një nga produktet e djegies së karburanteve është edhe bloza në trajtën e grimcave poroze me dendësi të vogël që i bën ato të qëndrojnë gjatë në ajër. Por jo vetëm nga karburantet por në zonat urbane ajri është i ngarkuar me shumë grimca të shumëllojshme organike, plastike, polen lulesh, etj me dendësi të vogël që lëvizin bashkë me ajrin. Nëqoftëse piklat e vogla  të dala nga një individ i prekur nga Covid  takojnë të tilla grimca, u ngjiten lehtë atyre duke u zhvendosur larg edhe me orë të tëra. Kjo grimcë në këtë rast shërben si bartëse e piklës së infektuar.

Jetëgjatësia virusit në piklat në mjedis varet nga disa faktorë. Që të mbijetojë, ai ka nevojë për lagështinë e cila e shoqëron, pra madhësia e piklës është shumë e rëndësishme. Faktori i  parë është tereni ku bie, ku ndodhet, sa përthithës është ai ndaj lagështisë. Metali, qelqi, plastika, etj janë shumë favorizuese për zgjatjen e jetës së tij. Ndërsa letra, druri, tekstilet, etj, ja marin shpejt lagështinë virusit duke ja shkurtuar atij jetën. Gjithashtu përcaktuese  është edhe temperatura e mjedisit që favorizon rruajtjen e lagështisë. Si të tilla favorizuese për të, janë temperaturat 5 deri10 gradë Celsius.

Mundësia pothuaj e vetme që ky virus të mbërrijë në paretet e brëndëshme të mushkërisë së një individi tjetër të shëndoshë është frymëmarrja. Dhe mundësia e vetme për ti ndaluar ato është maska. Një maskë standarte e tregut të sotëm na siguron një mbrojtje deri 95 %.  Eshtë i rëndësishëm mbulimi, mbyllja e plotë e kanaleve të frymëmarrjes. Parimisht mund të arihet në mbrojtje 100% më maska elektrostatike.

Besohet që ecuria e sëmundjes tek pacienti varet edhe nga fluksi i infeksionit fillestar pra nga numuri i viruseve që futen në mushkëri. Nje numur i madh virusesh, vatrash do të thotë një shtrirje e shpejtë që nuk i le kohë mobilizimit të sistemit imunitar, duke rrezikuar humbjen e betejës me infeksionin.

Ishin këto disa parime të cilat mund të përcaktojnë sjelljen, reagimin tonë ndaj këtij virusi të papritur, te panjohur dhe të padukshëm.  Sigurisht cdo ditë fitohet një përvojë e re që në fund do të na cojë në dominimin e plotë të saj. Por deri atëhere na duhet të fitojmë kohë, reagojmë të gjithë bashke, të ndërgjegjësuar dhe të vendosur për të kthyer në rrjedhën tonë normale të jetës.

Artikulli i mëparshëm42 për qind e qytetarëve të Serbisë e konsiderojnë Kosovën ‘të humbur’
Artikulli i radhësBizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë në vit përjashtohen nga TVSH