E ardhmja e biznesit në Ballkanin Perëndimor pas pandemisë

0

*Nga Kastriot Jahaj, MBA
CCO – Albsteel & Papmetal Group

Pandemia përfaqëson një dritare të rrallë e të ngushtë mundësish për të reflektuar, për të riimagjinuar dhe për të riformatuar botën

Vendet e Ballkanit Perëndimor u përfshinë po ashtu në hartën e vendeve të goditura nga pandemia. Për pasojë, edhe në këto vende pati kufizime strikte, në përpjekje për të parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor, në funksion të shpëtimit të sa më shumë jetëve njerëzore. Këto masa paraprake duket sikur funksionuan, së paku në rrafshin e parandalimit të përhapjes së sëmundjes. Sikurse tregojnë edhe statistikat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkalla e prekjes së popullsisë nga Covid-19 ishte relativisht më e ulët sesa ajo e vendeve të zhvilluara të BE-së.

Ndonëse në jetët humane nuk pati humbje të mëdha, krahasuar me vendet e tjera të Europës, si Italia apo Spanja , humbja ekonomike e këtyre vendeve pritet të jetë e thellë. Bazuar në raportet më të fundit të publikuara nga FMN apo BB, për vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomia e këtyre vendeve për vitin 2020 pritet të jetë në recesion, pra me një humbje të prodhimit të brendshëm në mesatarisht 3.1%. Megjithatë, rënia e parashikuar për vendet e BE-së është edhe më e lartë, në rreth 7.5%.

Mendoj se thënia e prof. Klaus Schwab, drejtues ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, “pandemia përfaqëson një dritare të rrallë e të ngushtë mundësish për të reflektuar, për të riimagjinuar dhe për të riformatuar botën”, do të funksiononte më së miri në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht rënies ekonomike të projektuar për vitin 2020, koha e rimëkëmbjes së këtyre shteteve e për pasojë dhe e bizneseve që operojnë në këto vende, pritet të jetë më e shpejtë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet kthimit të disavantazheve që këto vende kanë, në mundësi zhvillimi për të ardhmen.

Parajsa e kostove të ulëta

Së pari, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse kanë produktivitet disi më të ulët të forcës punëtore, krahasuar me vendet e tjera të bllokut ish-komunist anëtare të BE-së (si Bullgaria, Kroacia, Hungaria, etj.), krijojnë një “parajsë” për kostot e ulëta të fuqisë punëtore në Europë. Kështu këto vende kanë potencial të madh zhvillimi, sidomos në sektorët të cilët kërkojnë përdorim të lartë të forcës punëtore.

Më e lehtë të bësh biznes

Së dyti, pavarësisht dobësive, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përmirësuar ndjeshëm pozicionet e tyre në renditjen globale sipas raporteve “Doing Business”, të publikuara nga Banka Botërore. Madje progresi i tyre, sipas këtyre raporteve, është edhe më i lartë sesa Kroacia, vend fqinj i anëtarësuar në BE. Vijimësia me këto ritme e këtij progresi është e mundur edhe në periudhën post-pandemi.

Kjo, për vetë faktin se një set masash i cili të synojë lehtësi të mëtejshme, si në hapjen e një biznesi, rritjen e aksesit në financë të firmave, lehtësi të tjera fiskale, apo forcim të mëtejshëm të sistemit gjyqësor, – të gjitha këto hallka të përdorura në vlerësimin e rrethanave apo kushteve të të bërit biznes në një vend të caktuar, rrit automatikisht renditjen e tyre në bërjen biznes.

E thënë ndryshe, duke qenë se ekzistojnë ende hapësira për t’u përmirësuar më tej në secilën prej shtyllave të lartpërmendura, një përmirësim sado i vogël i tyre rrit shanset për t’u pozicionuar më lart në renditje, krahasuar me ato vende, të cilat i kanë pak a shumë të konsoliduara këto shtylla.

Orientim drejt industrisë dhe bujqësisë

Pas rënies së komunizmit, vendet e Ballkanit Perëndimor patën një zgjerim të shpejtë të sektorit të shërbimeve, duke tkurrur në të njëjtën kohë sektorin industrial apo atë të bujqësisë. Post-pandemia, së treti, mund të shihet si një mundësi për të drejtuar bizneset drejt sektorit industrial dhe atij të bujqësisë, si dy sektorë që mund të jenë premtues në të ardhmen.

Investimi në përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore do të rriste produktivitetin e tyre në të ardhmen, duke siguruar në këtë mënyrë një rritje të avantazheve konkurruese të forcës punëtore. Rritja e tyre krijon premisa, nga ana tjetër, për zbutjen e deficiteve të larta tregtare që këto vende kanë (pasi importet janë më të larta krahasuar me eksportet në të gjitha këto vende).

Në këtë mënyrë krijohet një efekt zinxhir, hallkat e të cilit ushqejnë njëra-tjetrën: produktiviteti më i lartë sjell eksporte më të larta, të cilat forcojnë edhe më shumë ekonominë e këtyre vendeve. Zhvillimi ekonomik, nga ana tjetër, krijon ambient më të favorshëm për klimën e biznesit, duke kthyer kështu një efekt spiral, biznes – zhvillim ekonomik.

Investime në teknologji

Duke parë strukturën aktuale të ekonomisë, e mbështetur në një masë të madhe në sektorin e shërbimeve, në pamje të parë bizneset (sidomos ato të vogla) që operojnë në këto vende, pritet të vuajnë më së shumti pasojat ekonomike nga pandemia, së paku në periudhë afatshkurtër.

Megjithatë, kjo nuk duhet parë si pengesë për perspektivën e tyre në afatin e mesëm apo më tej. Është fakt, që ka një hendek të lartë mes eficiencës në punë, të një të punësuari në vendet e Ballkanit Perëndimor, i krahasuar me një të punësuar në vendet anëtare të BE-së, vendet e bllokut ish-komunist. Investimi në teknologjinë artificiale do t’u jepte hov zhvillimi këtyre bizneseve, për t’u afruar më tej me kompanitë që veprojnë në vendet e BE-së. Investimi në teknologji do të ishte faktori i katërt, i cili do të kthente disavantazhet që këto vende kanë krahasuar me vendet e tjera të BE-së në avantazhe.

Rishikim i modelit të rritjes

Faktori i pestë lidhet me modelin e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili para pandemisë ishte i brishtë, sepse pjesa më e madhe e rritjes ekonomike ushqehej prej konsumit të lartë dhe financohej kryesisht nga kreditë konsumatore, remitancat dhe pagat. Megjithatë, e ardhmja është premtuese, pasi këto vende kanë ende norma interesi pozitive (për parantezë: në vendet e BE-së, norma e interesit e përcaktuar nga Banka Qendrore Europiane për operacionet e rifinancimit është zero).

Hapësira që ekziston në këto vende për të ulur më tej normat e interesit bazë nga ana e bankave qendrore përkatëse, rrit premisat për investime më të larta në të ardhmen, duke qenë se teorikisht, ulja e normës së interesit ul koston e huamarrjes që bizneset mund ta përdorin në shtimin e kapitaleve ekzistuese. Kjo do të nënkuptojë një strukturë më solide të ekonomisë, duke u mbështetur gjithnjë e më shumë në shtimin e investimeve. Kjo e fundit duhet të jetë dhe në fokusin e autoriteteve të këtyre vendeve, pasi infrastruktura ekzistuese ka ende nevojë për përmirësim.

E ardhmja do tregojë nga do shkojë balanca

E ardhmja do të tregojë sesi do të jetë balanca e zhvillimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pesë faktorët e përmendur më lart (të cilët mund të jenë shumë pak krahasuar me listën e gjatë të oportuniteteve që periudha post-pandemi mund të ofrojë në këto vende) mund të kundërbalancohen edhe me moskorrigjimin e dobësive aktuale që këto vende kanë. Këto dobësi lidhen me: informalitet të lartë; destabilitet politik; korrupsion; sistem jo eficient të administrimit tatimor; akses të ulët në financë, sistem të dobët gjyqësor, kornizë ligjore jo stabël të sistemit të taksave në veçanti, e fiskal në tërësi; duke krijuar, nga ana tjetër, kosto shtesë për bizneset që operojnë në këto vende.

Në vend të mbylljes: Kjo krizë, ndryshe nga krizat e tjera, përbën një goditje, e cila nuk mund të absorbohet e vetme nga politikat ekonomike, pasi zgjidhja e krizës përmban në “ekuacionin” e saj faktorë si: sistem shëndetësor, kohëzgjatje, e pasiguri.

Ekuacioni

Kjo krizë, ndryshe nga krizat e tjera, përbën një goditje, e cila nuk mund të absorbohet e vetme nga politikat ekonomike, pasi zgjidhja e krizës përmban në “ekuacionin” e saj faktorë si: sistem shëndetësor, kohëzgjatje, e pasiguri.

[1] Sipas të dhënave nga WHO, deri në fillim qershori, vdekshmëria në vendet e Ballkanit Perëndimor luhatet nga 2.1 – 5.9% të rasteve të infektuara, ku norma më e ulët shënohet në Serbi dhe ajo më e larta në Bosnjë dhe Hercegovinë. I njëjti raport për Italinë rezultoi rreth 14.4%.

Artikulli i mëparshëmPandemia godet energjinë
Artikulli i radhësIsh-‘kryebashkiaku i natës’ i shkruan Vilma Nushit: E dashur, ja pse po të mallkojnë!