Kryetari i parlamentit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi shtrohet në spitalin Infektiv

0

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është shtruar të premten në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup, por nuk është bërë e qartë nëse bëhet fjalë për infektim nga koronavirusi. Zoti Xhaferi kishte përjetuar probleme shëndetësore gjatë disa ditëve të fundit, thanë bashkëpunëtorë të tij.

Ndërkohë, parlamenti i ri i dalë pas zgjedhjeve të 15 korrikut duhet të mblidhet në fillim të muajit gusht dhe këtë seancë e thërret kryetari në largim i parlamentit, që është vetë z. Xhaferi.

Sipas rregullores së parlamentit, kryetari i tij cakton seancën themeluese të përbërjes së re parlamentare, njëzet ditë pasi të jenë zyrtarizuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Nëse ai/ajo nuk është në gjendje të jetë i pranishëm në seancë, atëherë atë e drejton deputeti më i vjetër në moshë. Në seancën e parë zgjidhet gjithashtu kryetari i ri i parlamentit.

Dy zyrtarë të tjerë të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë njoftuar se kanë rezultuar pozitivë në testet për COVID-19: Arbër Ademi, i cili është Ministër aktual i Arsimit dhe deputet në parlamentin e ri, si dhe Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë, të cilët kanë qenë aktivë gjatë fushatës parazgjedhore gjatë të cilës jo gjithmonë zbatoheshin protokollet dhe masat e mbrojtjes nga koronavirusi.

Situata e koronavirusit nuk është përmirësuar në Maqedoninë e Veriut që prej disa javësh, duke marrë çdo ditë disa jetë njerëzish. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 6 viktima dhe 129 raste të reja. Pesë nga viktimat janë nga Shkupi dhe një nga Struga. Brenda këtij intervali kohor janë bërë 1.535 teste, ndërsa 109 persona kanë rezultuar të shëruar nga virusi. Që nga shpërthimi i pandemisë janë regjistruar 451 raste vdekjesh nga 9.797 të prekur gjithsej, prej të cilëve 4.092 mbeten raste aktive dhe 5.254 të shëruar.

Artikulli i mëparshëmSeriali për Hillaryn tregon jetën e saj nëse nuk do të martohej me Bill Clintonin
Artikulli i radhës“Testime të detyrueshme për udhëtarët”/ Franca publikon ‘listen e kuqe’ me 16 vende