Qyteti në Massachusetts legalizon poligaminë me të njëjta argumente si për martesat gay

0

Nga Katy Faust & Stacy Manning

Qyteti Somerville në shtetin Massachusetts në SHBA është bërë i pari që legalizon marrëdhëniet polidashurore. Ky është një fakt që tregon të tatëpjetën të cilën konservatorët shoqërorë e parashikuan se do të pasonte legalizimin e martesave gay.

Polygamia ishte evolucioni i pritshëm i ripërkufizimit të martesës. Në fund të fundit, çdo argument i përdorur pro martesave gay – ‘dashuria është dashuri’, ‘ne meritojmë mbrojtje të barabartë nga ligji’ apo ‘ne nuk i bëjmë keq askujt’ – përdoret edhe për të përkrahur martesat në grup.

Njohja ligjore e polidashurisë në Somerville u bë më 25 qershor teksa këshilli bashkiak po ndryshonte aplikimin e partneritetit të brendshëm në një formular neutral nga ana gjinore. Kur anëtari i këshillit Lance Davis u sfidua se pse formulari ishte i limituar për dy aplikues, ai tha: ‘Nuk kam një përgjigje të saktë’.

Vërtet, nëse duam të injorojmë formatin origjinal prej dy personash që martesa ka pasur për mijëra vjet, nuk ka një përgjigje të saktë se pse marrëdhëniet e të rriturve të sanksionuara me ligj duhet të jenë vetëm midis dy të personave të rritur. Pra, nëse nuk marrim në konsideratë të drejtën e fëmijëve për t’u njohur e dashur nga të vetmit dy të rritur karshi të cilëve kanë të drejta natyrale, nëna dhe babai.

E megjithatë, sipas pikëpamjes sunduese mbi martesën, përkrahur nga vendimi i Gjykatës së Lartë që mandatoi martesat gay më 2015, martesa nuk ka të bëjë aspak me fëmijët. Sot martesa është thjesht një makinë që të rriturit të ndihen të plotësuar.

Me një arsyetim të tillë, nuk ka parime kufizues për seksin, numrin, zgjatjen apo ekskluzivitetin e një marrëdhënieje martesore. Ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fëmijët që vijnë në jetë nga bashkimi i tyre, shumë të rritur ndihen të plotësuar me marrëdhënie afatshkurtra, të një seksi, jo-ekskluzive apo me shumë partnerë. Gjykata e Lartë e SHBA tregoi indiferencë për nevojat e fëmijëve në vendimin e marrë më 2015 dhe tani Somerville po bën të njëjtën gjë.

Platforma themeluese e Partisë Republikane kërkonte anulimin e atyre që u referoheshin si ‘kolonat binjake të barbarizmave’, skllavërisë dhe poligamisë. Republikanët ia arritën me sukses t’i shkulnin ligjërisht që të dyja: skllavërinë më 1865 dhe poligaminë më 1890, por ‘xhepa’ poligamie vazhduan, sidomos me Kishën Fundamentaliste Shenjtorët e Ditëve të Fundit (FLDS) (mormone).

Një grua – po e quajmë ‘Cheryl’ – e rritur në një familje të tillë deri sa e ëma u largua me pesë fëmijët e saj, shprehet për vendimin e Somerville: ‘Nuk mendoj se shteti duhet të legalizojë familjet poligame, sepse ato janë përgjithësisht abuzive dhe të dëmshme për fëmijët dhe gratë brenda tyre’.

Ndërsa pranon se ka ‘familje poligame që funksionojnë fare mirë’, familjet që ajo ka parë janë qenë ‘pothuajse gjithmonë të paarsimuara, të kequshqyerja, të izoluara nga shoqëria, abuzive dhe kishte vazhdimisht pedofilí’. Ajo shton se gratë bënin gjithë punët e shtëpisë, ndërsa nevojat emocionale të fëmijëve shpesh nuk përmbusheshin.

Cheryl nuk është fëmija i vetëm që refuzon një jetë poligame pasi është rritur me prindër që kishin disa partnerë njëherazi. Në vitet e fundit kanë dalë histori të njëpasnjëshme fëmijësh që braktisën botën poligame të rinisë së tyre. Ata shpesh tregojnë çekuilibrim pushteti dhe xhelozi midis grave e pabarazi midis fëmijëve.

Të majtët shpallin se ‘ka ndryshim midis poligamisë dhe polidashurisë’. Tamam, ashtu sikurse ‘socializmi i vërtetë nuk është provuar kurrë’.

Progresistët thonë se poligamia dhe polidashuria kanë shumë të ndryshme. Ata thonë se poligamia, në të cilën zakonisht një burrë është i martuar me disa gra, është shtypëse dhe patriarkale, ndërsa ‘polidashuria’ është konsensuale dhe çliruese, edhe për fëmijët.

Amy Grappell, fëmijë i një marrëdhënieje të tillë, nuk është dakord. Në rininë e saj, prindërit nisën shkëmbimin e bashkëshortëve me fqinjët. Me termat e sotëm, Amy ishte subjekt polidashurie, apo i ‘jo-monogamisë etike’, dhe kjo nuk ishte fushë me lule.

Në dokumentarin e saj ‘Quadrangle’, Amy zbulon se si më shumë të rritur në shtëpinë e saj nuk rezultoi në më shumë dashuri prindërore. Dinamika përqendrohej në dëshirën seksuale dhe xhelozia e konkurrenca midis grave ishte konstante.

Amy u ndje e braktisur nga prindërit dhe i përshkruan ndjenjat e saj si ‘armiku i utopisë së tyre’. Tronditja emocionale dhe psikologjike nga eksperimenti seksual i prindërve e ka përndjekur atë edhe në jetën si e rritur.

James Lopez, gjithashtu i rritur në një familje poli ‘moderne’, e hedh poshtë idenë se polidashuri thjesht do të thotë një familje më e madhe për fëmijët. ‘Problemi është se fëmijët në familje me shumë anëtarë nuk i shohin ata anëtarë t’ua puthin nënën apo babanë, gjë që nuk është kështu në familjet poli. Nuk më pëlqente të shihja tim’atë t’i shfaqte afeksion një gruaje tjetër, veçanërisht një gruaje që nuk ishte nëna ime biologjike. Ato pamje i kam ende në mendje edhe sot. Dhe nuk më ngjallin ndonjë ndjesi familjeje’.

James beson se ‘në vend të promovimit të poli-marrëdhënieve, institucionet tona politike duhet të ringjallin idetë se babai e nëna kanë rëndësi, sepse të dy janë thelbësorë për mirërritjen e fëmijëve’.

Ka shumë pak studime të besueshme se si përfundojnë fëmijët e rritur në familje poligame, por në të vërtetë nuk është se na duhen. I kemi tashmë male të dhënash mbi strukturën e familjes që tregojnë se prania e të rriturve jo-biologjikë nuk përmirëson rezultatin final se si to të bëhet fëmija, pavarësisht se çfarë tipi marrëdhënieje ekziston midis të rriturve.

Në të kundërt, të dhënat provojnë se fëmijët rriten më mirë në shtëpinë e nënës dhe babait biologjikë. Zyrtarët në Somerville gabohen teksa besojnë se përqafimi i kësaj politike progresiste tregon se ata po bëjnë progres, në fakt statuti i tyre i ri është regres që e kthen shoqërinë 130 vjet prapa dhe kjo vjen në kurriz të fëmijëve.

Artikulli i mëparshëmTë rinj afganë japin në plazh provimin e pranimit në universitet/ Imazhe frymëzuese
Artikulli i radhësNumri i të burgosurve në Evropë për terrorizëm kap nivelin më të lartë në 20 vjet