Tre profesorë të universitetit të ‘Southampton’ në Angli janë bërë milionerë pasi u mësua se një ilaç i tyre ka efekt në kurimin e koronavirusit të ri.
Sipas The Guardian, bëhet fjalë për profesorët Ratko Djukanovic, Stephen Holgate dhe Donna Davies.
Rreth dy dekada më parë ata zbuluan se njerëzit me astmë dhe sëmundje kronike të mushkërive kanë mungesë të një proteine të quajtur Beta Interferon. Sipas tyre, nëse kjo proteinë zëvendësohet, atëherë mund të rritet imuniteti ndaj infeksioneve virale.
Akademikët krijuan një kompani të quajtur Synairgen. Kur shpërtheu pandemia e koronavirusit, ata menduan se shpikja e tyre mund të funksionojë edhe me këtë infeksion viral.
Kura e tyre provoi se redukton në mënyrë dramatike numrin e pacientëve që kanë nevojë për kujdes intensiv. Proteina Beta Interferon thithet direkt në mushkëri nga pacientët me koronavirus, duke përdorur një nebulizator.
Të dhënat e para sugjerojnë se kura i ul me 79 përqind rrezikun që një pacient të kalojë në sëmundje të rëndë dhe të ketë nevojë për ventilim.
Pacientët janë dy deri në tre herë më të predispozuar për t’u shëruar deri në pikën ku sëmundja nuk ndërhyn në aktivitetin e tyre të përditshëm. Po kështu kura thuhet se redukton ndjeshëm problemet me frymëmarrjen. Përveç kësaj, koha që kalon një pacient në spital reduktohet deri me një të tretën.
Gazeta ‘Guardian’ shkruan se pas zbulimit, aksionet e kompanisë u rritën me 540 përqind. Tashmë profesorët kanë në llogarinë e tyre një pasuri që shkon për secilin nga 1.6 deri në 1.7 milionë sterlina.