Komentet e vëzhguesit të ONM i “djegin”, KLP i fut në rend dite

0

Një koment publik i vëzhguesit ndërkombëtar të procesit të vetting-ut, Theo Jacobs, mbi cilësinë, sipas tij, jo të duhur të disa prej prokurorëve të SPAK nuk është gëlltitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për shkak se është institucioni që rekruton prokurorët e SPAK, KLP do të mbajë një qëndrim publik për rastin.

Diskutimi i kësaj çështjeje është parashikuar të jetë një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen e radhës së Këshillit, e caktuar për këtë të hënë. Deklaratat që sikletosën Këshillin e Lartë të Prokurorisë u bënë në 16 korrik gjatë seancës dëgjimore për gjyqtarin e Apelit Shkodër, Selim Kryeziu.

Jacobs, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra, pikante dhe të drejtpërdrejta,  komentoi pushimin e shpejtë të hetimeve të nisur nga SPAK për Kryeziun duke thënë se çështja ishte mbyllur nga “prokurorë që nuk duhet të ishin në SPAK”. Në vijim të qëndrimit të tij, Jacobs akuzoi SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme për vendimmarrjen ndaj gjyqtarit të KPA, Luan Daci, duke thënë se prokurorë e gjyqtarë “që nuk duhet të ishin aty” ngritën akuza për vepra që nuk ishin vepra penale.

Prokurori belg, Theo Jacobs, spikat mes kolegëve të tij të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për komentet e tij “të hidhura” gjatë seancave të vetting-ut. Ai shprehu zhgënjim për mosparaqitjen e ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, në seancën dëgjimore, duke e konsideruar si mungesë lidershipi nga ish-nr. 1 i prokurorisë. Ndërsa në seancën për ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, Jacobs tha se leximi i dosjes së saj i kishte lënë një shije të keqe.

Artikulli i mëparshëm“Fuqia infektuese e koronavirusit është 10-fishuar”
Artikulli i radhësTemperatura deri në -37 gradë Celsius dhe stuhi bore në Argjentinë