Kuvendi i Shqipërisë nis javën e tri seancave maratonë, ku pritet të shqyrtohen dhe të përmbyllen disa nga çështjet më të nxehta të këtij sesioni.
Seanca e sotme do të nisë në orën 10:00, ku në rend dite është vetëm një pikë “e nxehtë”. Bëhet fjalë për raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
“Raporti përfundimtar i komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”. (Ligji nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, neni 25 Rregullore Kuvendi, votim i hapur, shumicë e thjeshtë votash për miratim”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet edhe ditën e mërkurë, si dhe të enjten, në dy seanca maratonë, ku pritet të përmbyllet Reforma Zgjedhore me dakordësinë mes palëve, si dhe të votohen ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura, propozime këto të opozitës parlamentare dhe të mbështetura nga kryeministri Edi Rama.