Prishtina zyrtare i kërkon kompanisë Apple të njohë kufijtë e Kosovës

0

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se më 23 korrik i ka nisur letër zyrtare shefit të kompanisë amerikane, Apple, Tim Cook, për të përfshirë kufijtë e Kosovës në shërbimet për harta të kësaj kompanie.

“Shërbimet për harta të Apple nuk i shfaqin kufijtë e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht. Në vend të kësaj, Republika e Kosovës shfaqet si pjesë e Serbisë. Kjo gjë është në kundërshtim me realitetin politik dhe atë ligjor. Kjo gjë lëndon qytetarët tanë që janë përballur me humbje të mëdha në përpjekjet për pavarësi. Kjo gjë shihet edhe si fyerje ndaj shtetit tonë”, ka thënë ajo përmes letrës.

Ditë më parë këngëtarja e njohur britanike me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, shkaktoi një varg reagimesh në rrjetet sociale, pasi, fillimisht, e ftoi kompaninë Apple nga profili i saj në Instagram që ta vendosë Kosovën në hartë, ndërsa më pas postoi në Instagram dhe Twitter një fotografi të hartës së “Shqipërisë së Madhe” me mbishkrimin “autochthonous“ (autokton).

Në këtë hartë, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, përfshihen pjesë të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Poshtë fotografisë, Dua Lipa ka shkruar: “Autokton – mbiemër (banor i një vendi), vendas, jo pasardhës të migrantëve ose kolonistëve”.

Përdoruesit e rrjeteve sociale në Serbi kanë shprehur pakënaqësinë e tyre.

Të gjithë kësaj i ka paraprirë reagimi i këngëtares së njohur ndaj një peticioni që kërkon që Kosova të mbahet në hartat e Apple me një yll, apo fusnotë, si pjesë e Serbisë.

Ky peticion aktualisht ka mbi 13,000 nënshkrues.

Peticioni i dytë, i cili ka rreth 93,000 nënshkrime, thotë se është shqetësuese që Kosova nuk tregohet në hartat e Apple.

“Kufijtë e saj mezi shihen dhe më e keqja është se tregohet si pjesë e Serbisë. Kjo duhet ndryshuar sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Kosova është një vend i pavarur që nga viti 2008 “, thuhet në peticion.

Ndërkohë edhe këngëtarja tjetër britanike me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ka kërkuar nga Apple që ta përfshijë Kosovën në hartat e saj.

Aktualisht, kufijtë e Kosovës në hartën e kësaj kompanie janë vizatuar me ngjyrë të kuqe të zbehtë, ndryshe nga vendet e tjera që ndahen me një ngjyrë të ndritshme dhe një linjë e trashë.

Artikulli i mëparshëmMjeku kinez akuza ndaj zyrtarëve në Wuhan: Zhdukën provat nga tregu ku “buroi” Covid-19
Artikulli i radhësShkencëtarët zbulojnë se si lakuriqët e natës u mbijetojnë viruseve/ Shpresë për një kurë kundër Covid-19?