VIDEO/ Simfonia e 9-të e “Zonjës së Vjetër”, flasin Sarri, CR7 e kapiten Bonucci

0
Juventus

Me cigaren e tij në buzë, i veçuar nga pjesa tjetër e ekipit, Sarri ishe i pari që u largua menjëherë pas vërshëllimës së fundit të arbitrit. Titulli i parë në Serie A vjen pas një sezoni të gjatë ku shpesh figura e tij u vendos në pikëpyetje, sërish i qetë dhe me këmbë në tokë, Sarri përgëzon ekipin dhe mbi të gjitha dyshen Ronaldo-Dybala:

“Cristiano dhe Dybala kanë bërë diferencën, një pjesë të mirë të titullit e meritojnë ata. Ky sezon ishte i vështirë, është e vështirë të fitosh në një skuadër e cila ka fituar prej vitesh. Nuk është e lehtë të qëndrosh në nivele të larta”, u shpreh Sarri. Një titull i veçante edhe për Ronaldon, i dyti radhazi në Serie A:

“E kryer! Kampion të Italisë. I lumtur për titullin e dytë radhazi dhe që po ndërtojmë historinë e këtij klubi fantastik. Këtë titull ia dedikojmë të gjithë tifozëve të Juves, në veçanti atyre që vuajtën dhe vazhdojnë të vuajnë nga kjo pandemi që kapi në befasi botën. Nuk ishte e thjeshtë”, shkruan ndër të tjera CR7 në statusin e tij në “Instagram”.

Në konferencë për shtyp pas ndeshjes foli për mediat edhe kapiteni Leonardo Bonucci i cili e cilëson si një nga titujt më të vështirë: “Vështirësitë i has që në momentin kur nis një rrugë të re. Hasën në konkurrentë që na e bënë më të vështirë. E mbajtëm të hapur garën edhe për disa gabime tonat. Nëntë herë radhazi kampion është diçka e jashtëzakonshme, unike. Kemi bërë historinë e kësaj shoqërie por edhe të futbollit botëror”, u shpreh Bonucci.

Artikulli i mëparshëmAshpërsohen tonet mes dy vendeve, Greqia nis përpjekjet për bojkotimin e mallrave turke
Artikulli i radhësFamilja Fejzullahu merr pasaportën shqiptare