Nga Erion Dasho
Deri tani janë shfaqur dy modele për menaxhimin e krizës së COVID-19: modeli i heronjve dhe modeli i sistemeve shëndetësore.
Modeli i heronjve është shfaqur në dy forma – politikanë dhe klinicistë. Qëllimi është të bindet popullata se janë duke u bërë të gjithë përpjekjet për shpëtimin e jetës së tyre dhe ka në bazë frikësimin e popullatës. Në Shqipëri, këtë model e pamë në periudhën e parë të epidemisë kur popullatës i flitej nga politikanët 24×7 për armikun, bombat, kamikazët, etj.
Lexo edhe: Shpata e OFL, si po ngrihen shtabet elektorale të Ramës me `ajkën` e krimit!
Në formën e tyre “klinike”, heronjtë janë modele të krijuar dhe përdorur mediatikisht që me veshjen dhe pamjet e tyre të lodhur bëjnë thirrje sërish të kemi kujdes nga “hataja” që po na kanoset. Shpesh, baza e thirjeve të tyre mbetet sërish rreziku dhe frikësimi.
MODELI I HERONJVE ËSHTË KARAKTERISTIK PËR VENDET E VARFRA QË “NUK KANË KËLLQE” TË PËRBALLEN ME VIRUSIN NËPËRMJET PËRAFRIMEVE PROFESIONALE, TË CILAT SOT BAZOHEN TEK INFORMACIONI I PËRDITËSUAR, TË DHËNAT SHKENCORE DHE PËRVOJA MJEKESORE BASHKËKOHORE.
Modeli i dytë i përballjes me epideminë bazohet tek sistemet shëndetësore. Në fakt, çelësi i suksesit për përballimin e epidemisë së COVID-19 është pikërisht përafrimi i integruar – d.m.th. ai përafrim ku nuk mendohet se individë apo masa të veçanta mund të bëjnë çudinë, por hartohet një përgjigje shumë-planëshe ku të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor dhe më gjerë përgjigjen në mënyrë të koordinuar dhe harmonike.
KY ËSHTË SHEMBULLI QË KANË DHËNË DHE VAZHDOJNË TË JAPIN VENDET E SUKSESSHME!
Në këto vende edhe kur nis një “valë e dytë”, ajo kapet menjëherë (sepse sigurisht një sistem i ndjeshëm i survejancës” është pjesë e përafrimit të integruar), analizohet (sepse përdoren metoda inteligjente) dhe menjëherë merren masa për t’a adresuar bazuar mbi përvojat e mira (sepse bazohen tek evidenca). Këtë pamje po e shohim në pjesën më të madhe të vendeve që kur konstatohen tregues alarmi të caktuar, reagojnë me masa proporcionale për të mos e lejuar epideminë të përkeqësohet.
Baza e gjithçkaje janë tre nivelet klasike të parandalimit që njeh shkenca mjekësore dhe ajo e shëndetit publik:
Niveli i parë: në mungesë të një mase të parandalimit specifik (vaksina), bazohet tek masat klasike të shëndetit publik (distancimi dhe maskat), por edhe tek ato moderne si aplikacionet, platformat big data, algoritmet e inteligjencës artificiale, etj. Përgjithësisht, ndërhyrjet e efektshme në këtë nivel bazohen tek pesë parimet e Kartës së Otavës.
Niveli i dytë: diagnoza dhe trajtimi i hershëm sipas trinomit Testo-Gjurmo-Trajto. Synimi kryesor është që trajtimi të ofrohet në kushtet e shtëpisë dhe vetëm rastet e komplikuara të transferohen në spital. Trajtimi në shtëpi bazohet në protokolle të cilët rifreskohen vazhdimisht dhe për zbatimin e të cilave trajnohen, ri-trajnohen dhe mbështeten mjekët e familjes nga kolegët e tyre specialistë. Në rast se pacienti manifeston një kuadër të caktuar klinik (treguesi kryesor objektiv është niveli i oksigjenit në gjak apo një kuadër i caktuar radiologjik, tregues që sigurisht duhen parë në kontekstin e plotë klinik objektiv dhe subjektiv), kalohet tek trajtimi i hershëm në spital për të përmirësuar oksigjenimin, disiplinuar terapinë dhe, pse jo, edhe izoluar pacientin që besohet se kur ka klinikë të rënduar, është më infektues për mjedisin familjar. Ky trajtim mund të ofrohet fare mirë në kushtet e një spitali rajonal.
Niveli i tretë: trajtimi i hershëm dhe agresiv i komplikacioneve për të bërë të mundur që dëmet në mushkëri dhe ato sistemike nuk përparojnë për të krijuar situata ku rrezikohet jeta e pacientit. Këtu nevojitet “artileria e rëndë” – spitalet terciare, strukturat e specializuara të kujdesit intensiv, intubimi, etj.
NË NJË SISTEM PACIENTI NUK KALON NGA SHTËPIA NË SPITALIN TERCIAR!!!
Vetëm ministria jonë e shëndetësisë dhe komiteti ynë i ekspertëve “shpiku” heronjtë e COVID-it të cilët janë të vetmit që mund të përballen me “amikun e padukshëm” duke harruar se në shëndetësi ka dhjetëra vjet që modeli i heronjve i ka vendin modelit të sistemeve dhe ekipeve!
Vetëm duke zbatuar një përafrim të integruar ndaj COVID-19, epidemia do të vendoset nën kontroll, tendencat e epidemiologjike do t’i shohim në rënie dhe, mbi të gjitha, numrat e pacientëve në gjendje të rëndë dhe të atyre që humbasin jetën, do të minimizohen.
PËRNDRYSHE NGA PRET NJË SFIDË E GJATË DHE E DHIMBSHME NGA COVID-19!