Drejtuesi i Departamentit për Mjekësi Humane brenda Agjencisë austriake për Siguri të Ushqimit (AGES) Franz Allerberger, vlerëson se shkalla e të infektuarve me koronavirus në shtetet si Kosova dhe Bullgaria shkon në rreth 50 për qind.
Ai nuk u beson shifrave zyrtare të shteteve të Ballkanit, pasi që shifrat reale janë ‘rreth dhjetëfish më të larta’, ka thënë për të përjavshmen austriake, ‘Profil’.
Sipas analizave të AGES-it, numri i të infektuarve në Austri lidhet në masë të konsiderueshme me ata që vijnë nga shtetet e Ballkanit ose Turqia, raportojnë mediat austriake.
Allerberger i tha të hënën agjencisë austriake të lajmeve APA se ‘popullsia lokale e Ëuhanit apo Ischglit e kishte pasur këtë shkallë të infektimit (43 për qind, sipas testeve serologjike në Ischgl)’.
Sipas shifrave të ‘Complexity Science Hub’ (CSH) në Vjenë, Bullgaria deri më tani ka regjistruar rreth 10.400 të infektuar, Rumania 45.000, Serbia 23.700, Mali i Zi 2.800, Shqipëria 4.800, Maqedonia e Veriut 10.000, Bosnja 10.000 dhe Kosova 7.100.
Për shkak të sezonit të pushimeve, Qeveria e Austrisë ka lëshuar paralajmërime për karantim për këdo që kthehet nga shtetet e Ballkanit.