Zbardhet një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në qytetin e Lushnjës vitet e fundit. Policia e Shtetit njoftoi dje se ka zbardhur ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Zamir Latifi, 23 vjeç, dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.
Në njoftimin zyrtar, Policia tha se nga hetimet e kryera u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në datën 11 tetor 2017, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, ndërsa ditën e djeshme u organizua operacioni i koduar “Sarava”, duke identifikuar tre autorët e dyshuar.
Ata janë Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, i shpallur në kërkim.
Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafik narkotikësh”; Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, i shpallur në kërkim.
Për Orges Bilibili u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25 korrik 2020 në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre.
Ironikisht, zbardhja erdhi pas arrestimit aksidental të Bilbilit në mes të Tiranës më 10 prill. Ai kishte thyer rregullat e lëvizjes gjatë karantinës kur u pikas nga policia. Një polic qëlloi ndaj tij, duke e plagosur. Bilbili jetonte me Kaloshin në Tiranë dhe lëvizte para hundës së policisë.
SI NDODHI MASAKRA
Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë.
Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit. Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë.
Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi.
Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plasmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.
Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Dy vjet pas ngjarjes së rëndë që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë u ekzekutua edhe Besnik Hida.
Besnik Hida ishte daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi.
Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.