Nga Veton Surroi
Kosova është po aq e varfër, shkallmuar në kapacitetet e veta shëndetësore dhe e shtrydhur nga derdhja korruptuese e parasë publike, por gjatë pranverës kishte besim kolektiv se do t’ia dilte mbanë dhe e mbajti nën kontroll virusin. Tashmë nuk ka besim kolektiv, tashmë çdo njëri e mbron veten dhe pret se kur do të trokasë në derën e tij1.Para një muaji e ca më pyeti berberi se a njoh dikë personalisht të sëmurë me COVID dhe ndonëse i befasuar me pyetjen, të dëgjuar për herë të parë në këtë formulim, e gjeta veten sërish të befasuar me faktin se nuk kisha asnjë të njohur, dikë që do të mund ta identifikoja personalisht të ishte i tillë. Ai më tha se në komunën e tij, të Obiliqit, njihte katër. Perceptimi që kishim për COVID-in ishte i natyrave krejtësisht të ndryshme, tek ai kishte marrë forma njerëzish me të cilët kishte këmbyer fjalë, të cilëve u kishte mbajtur mend diçka prej historisë personale. Koronavirusi tek ai ishte më afër, kishte trokitur në dyert e komshinjve, në dyert e mëhallës.
Prej atëherë nuk kaloi shumë kohë dhe numri i njerëzve që njoh personalisht e që janë infektuar me koronavirusin kaloi kaherë dhjetëshin. Virusi trokiti në mëhallën time. Mbrëmë trokiti edhe në familje; vdiq prej tij Fazli Syla, në moshë kur vdekja nuk befason, por megjithatë qartazi i detyruar të kalojë nëpër torturën nëpër të cilën kalojnë pacientët me simptomat më të vështira.
Për një gjeneratë të tërë njerëzish që janë rritur me arsimin dhe kulturën e gjuhës shqipe në Prishtinën e gjashtëdhjetëvjetëve të fundit, Fazli Syla ishte qoftë profesori, qoftë drejtori i Gjimnazit, qoftë drejtori i Institutit Albanologjik, qoftë njeri i pashmangshëm i planifikimit të arsimit e kulturës në Kosovë.
Dhe, kështu koronavirusi trokiti, pas dyerve të mëhallës e të komshinjve, përtej dyerve të familjes edhe në atë hapësirë të gjerë, të memories kolektive të arsimit e kulturës shqipe të Kosovës.
2.
Në muajin korrik, dhe ende pa përfunduar ai, Kosova ka shënuar 4.500 raste të reja të infektimit apo rreth 170 raste në ditë, dhe hyri në garë për tri vendet e para në nivel evropian.
Dy faktorë zakonisht përmenden të kenë ndikuar në këtë rritje të jashtëzakonshme të infektimeve. I pari: nuk është kuptuar në disa vende të Evropës e botës natyra e virusit dhe në vend të dobësimit në temperatura verore e me rreze ultraviolete, virusi është treguar i fortë. I dyti, dhe rrjedhimisht, se shoqëritë që kanë qëndruar të mbyllura gjatë në karantinë janë hapur shpejt për komunikim më intensiv social – nga kafenetë e deri te dasmat e varrimet – dhe kështu kanë ndikuar në riprodhim të shpejtë të infeksioneve.
Në Kosovë është edhe një faktor plotësues dhe krejtësisht sui generis në nivel evropian. Krahas me luftën fillestare kundër pandemisë, Kosova hyri edhe në një luftë të brendshme politike, në të cilën pandemia nuk ishte kurrfarë teme. Gjatë dy muajve e më shumë të pranverës, nëse duam ta thjeshtësojmë deri në formën e vet makabre karikaturiale, diskursi politik në Kosovë në luftën politike është ngarkuar me këto pika themelore: a duhet plazma keksi të ketë taksë njëqind për qind kur të hyjë në Kosovë, apo bën të hyjë në Kosovë, por të shkruajë në etiketë se po eksportohet në Republikën e Kosovës, apo duke dëgjuar sugjerimin e ambasadorit amerikan, Grenell, se plazma keksi duhet të hyjë në Kosovë pa kurrfarë takse plotësuese e pa kërkesë që të shkruajë Republika e Kosovës në të? Dhe varësisht se kush si është pozicionuar rreth plazma keksit është quajtur më shumë apo më pak i afërt me Amerikën, më shumë apo më pak i afërt me Evropën dhe në fund mbrojtës apo kundërshtues i shqiptarëve dhe shqiptarizmit. Natyrisht, në këtë përshkrim naiv hyn edhe një plan aspak naiv për ndarje të Kosovës dhe këmbim territoresh, dakorduar mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, por kjo tashmë duket si të ishte harruar.
Një aktivist i spikatur dhe serioz i Qeverisë së kryesuar nga LVV dha pardje një statistikë tmerruese për COVID-in: “4 qershor, dita e fundit e Qeverisë Kurti: 294 mostra, 5 raste pozitive. Sot: 5 mostra, 294 raste pozitive”.
Ata që ishin të zëshëm në debatin për plazma keksin dhe instant-marrëveshjet historike që arrihen në Washington me tri këmisha në valixhe, bëjnë mirë që të ulen kokë më kokë me pesë mijë të infektuarit me virus gjatë muajit korrik dhe t’u shpjegojnë pse këto punë janë të rëndësisë parësore për Kosovën.
3.
Nuk jam i sigurt se virusi ka pritur që të formohet një Qeveri e re dhe të sulmojë me tërë furinë e vet – dhe as që besoj se postimi ka pretenduar një gjë të tillë. Por, ajo që është padyshim evidente është se koronavirusi nuk ishte përparësi, as ndër pesë temat e para të formimit të Qeverisë së re. Në pesë vendet e para të prioriteteve ishte ‘dialogu’, pastaj ‘dialogu’, pastaj po ashtu ‘dialogu’ dhe në dy vendet e mbetura riorganizimi i Qeverisë me partnerë të rinj – zëvendës, këshilltarë, e kështu me radhë.
Dhe nuk jam i sigurt se gjërat do të zhvilloheshin në formë krejt tjetër dramatike – e që sot të kishim dy a tre të infektuar në ditë – po që se Qeveria e re të kishte vendosur që tri pikat e para të rendit të ditës në çdo mbledhje të Qeverisë gjatë muajit qershor të ishin COVID (si të sigurohen urgjentisht testimet dhe pajisjet mjekësore), COVID (si të kufizohet dëmi ekonomik dhe si të nxitet një cikël nxitjesh të aktivitetit ekonomik), COVID (si të ngrihen kapacitetet plotësuese shëndetësore). Dhe që, krahas këtyre tri pikave të kishte edhe dy të tjera: COVID (si të përgatitet viti i ardhshëm shkollor) dhe COVID (si të integrohen projektet zhvillimore kosovare në fondet e buxhetit evropian për post-COVID?).
Atë që di është se një Qeveri e atillë do të kishte zhvilluar besueshmëri shumë më të lartë. E kjo është me rëndësi, sepse kriza e tanishme është shëndetësore dhe sociale e ekonomike po ashtu, por në masë të madhe është krizë besimi. Kosova është po aq e varfër, shkallmuar në kapacitetet e veta shëndetësore dhe e shtrydhur nga derdhja korruptuese e parasë publike, por gjatë pranverës kishte besim kolektiv se do t’ia dilte mbanë dhe e mbajti nën kontroll virusin. Tashmë nuk ka besim kolektiv, tashmë çdo njëri e mbron veten dhe pret se kur do të trokasë në derën e tij.
4.
Shpërthimi i numrave të epidemisë duhet ta shtyjë Kosovën të vendosë shpejt.
Tashmë është e qartë se duhet të ulen shifrat e infektimeve, sepse çdo rrëfim që vjen prej sistemit shëndetësor tregon shenjat e kolapsit.
Kjo nënkupton masa më drastike se deri tani. Dhe kjo nënkupton që edhe po të ndalet me artificialitetin e kufizimit të lëvizjes e kontaktit, virusi është rrezik i drejtpërdrejtë për dy shtylla primare shoqërore: arsimin dhe ekonominë.
Pra, gjasat janë krejtësisht të vogla që fëmijët dhe studentët ta vijojnë mësimin normalisht prej shtatorit dhe tetorit dhe kjo kërkon një përgjigje kolektive shoqërore. Dhe, gjasat janë krejtësisht të vogla që të kemi rikthim të aktivitetit ekonomik – siç u pa me njërin prej indikatorëve tipikë kosovarë, gastronominë. Zinxhiri socio-ekonomik i këtyre çrregullimeve pastaj vetëm sa ndërlikohet.
Edhe po të mos kishte asnjë problem tjetër – presionin e negociatave me Serbinë apo Gjykatën Speciale – këto do të kërkonin një pushtet që ka besim dhe që ka forcën politike. Qeveria e tanishme këto nuk i ka. Dhe kësaj qeverie të Kosovës, në tërësi, vjeshta po i troket tash, në korrik.
© KOHA