Për konstitucionalisten Aurela Anastasi, ndryshimet kushtetuese të miratuara në Parlament, u bënë në një kohë aspak të mjaftueshme.
Në një intervistë për TvT, Anastasi e pranoi ngutin nga ana e mazhorancës, por megjithatë u shpreh se ndërhyrjet e fundit nuk janë antikushtetuese.
“Kemi këto ndryshime kushtetuese, sikurse ato sjellin disa të reja në kuadrin e sistemit proporcional rajonal. Nga mënyra se si do t’i afektojnë partitë poltike, çfarë do të përfitojnë kandidatët dhe zgjedhësit do të varet shumë nga kodi zgjedhor”.
Megjithatë, sipas konstitucionalistes Anastasi, votimi i ndryshimeve kushtetuese, duhej të ishte bërë me dakordësinë e palëve.
“Natyrisht, koha në të cilën u shqyrtuan është shumë e pamjaftueshme. Një marrëveshje e përbashkët e të gjitha forcave politke do të ishte e shëndetshme. Nëse do të kishim një konsensus të përgjithshëm, duke përfshirë maxhorancën, opozitën jashtë Kuvendit dhe atë brenda, ne mund shmangnim këto ndryshime”, tha Anastasi.
Deri më tani, Kushtetuta që nga referendumi popullor i 1998-s është ndryshuar 6 herë, ashtu sikurse Kodi Zgjedhor, me 4 ndryshime. Por sa të shëndetshme janë ndryshime aq të shpeshta për një shtet? Sa i përket idesë së hedhur nga Presidenti i republikës që çdo ndryshim i Kushtetutës të bëhet me referendum, Anastasi nuk është aspak dakord. Sipas saj, referendumet do të përdoreshin për abuzime nga ana e partive politike.