Pse po e përdor Rama babanë për politikë?

0

Në ditën e dytë më të shenjtë të vitit për myslimanët, krerët e shtetit zgjodhën rrugë të ndryshme për të uruar dhe përshëndetur myslimanët shqiptarë.

Edi Rama duke vazhduar provokimet dhe acarimet me opozitën zgjodhi që të risillte edhe një herë në plan të parë përkujtimin e të atit, Kristaq Ramës.

Në të vërtetë historia, tanimë publike, e kryeministrit me të atin është një përplasje e vazhdueshme që nis që me dëshmitë rrëqethëse që ai ka dhënë në fillim viteve 1990 ashtu edhe me karshillëkun që i ka bërë të atit në muralen e kryeministrisë në mandatin e tij të parë.

I madh e i vogël e di dhe e ka të qartë që Rama kur evokonte emrin e të atit në foltoren e Kuvendit kishte në mendje të sulmonte dhe provokonte opozitën dhe shqiptarët. Logoreja e fyerjeve dhe kërcënimeve që ai i lëshoi ndërkombëtarëve u pasurua me të njëjtën sasi ofendimesh ndaj shqiptarëve.

Natyrisht, Rama nuk është as i pari dhe as do jetë i fundit në përballjen me të shkuarën kriminale të një prindi. Askush nuk beson se faji i prindit kalon tek fëmija, askush veç komunistëve që shohin biografinë. Por, të gjithë besojmë tek ndërgjegjja dhe përgjegjësia personale.

Krejt ndryshe ishte historia e urimit e Lulzim Bashës. Në njërën nga dy ditët më të rëndësishme të myslimanëve ai zgjodhi të takonte dhe të pinte kafen e vizitës tradicionale tek familja e një kleriku patriot.

Sherif Osman Langu është një nga klerikët e shumtë që kanë firmosur deklaratën e Pavarësisë në 1912 dhe që jetën e tij e kaloi në shërbim të myslimanëve të vendit.  Vizita në shtëpinë e një hafizi që jetën ia dedikoi luftës për atdhe dhe mësimit të fesë në ditën e shënuar të Kurban Bajramit ishte mesazhi që Basha u dha shqiptarëve.

Zoti dhe dashuria për atdheun janë themele mbi të cilat ngrihet filozofia e të djathtës shqiptare të cilën Basha po e jetëson. Natyrisht në kundërshti të thellë me një kryeministër që në ditën e shenjtë për myslimanët nuk ka problem të nderojë dhe respektojë si ata që mbyllën shtëpitë e Zotit edhe ata që kryenin ritet falas kur të parët sundonin.

Edhe kësaj radhe kjo është një çështje botëkuptimi dhe vizioni. Rikthehemi edhe një herë në dikotominë që të gjitha besimet abrahamike nënvizojnë: beteja mes tundimit djallëzor për t’u rebeluar ndaj të vërtetës dhe virtytit dhe shpirtit të bindur të Abrahamit dhe birit të tij se apogjeu i virtytit mbërrihet vetëm përmes sakrifikimit të egos për hir të të Vërtetës.

Është ndasia e madhe ndërmjet yshtjes për lavdi që e shtyn tiranin drejt dhunës dhe injorancës dhe grishjes për dashuri ndaj të çiltrës së besimit dhe të bukurës së krijuar në atdheun. Një mesazh i plotë për shqiptarët që do të ulen të gëzojnë njëri tjetrin për bajram dhe jo vetëm.

Për festën e Kurban Bajramit, si në një shpërthim bezdie, Rama u mjaftua me postimin e një fotoje nga kupola e Xhamisë së Et’hem Beut me një mbishkrim vizualisht mediokër e të shëmtuar dhe përmbajtësisht të varfër ‘Gëzuar Kurban Bajramin!’ sipërvënë me dhunë stilizimeve florale të kupolës. Një heshtje e plotë, një injorim i pashoq i myslimanëve në veçanti dhe i feve në tërësi për një lider politik të një vendi që të paktën harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet feve e kremton si vlerë kombformuese dhe shtetformuese.

Zgjedhja e Edi Ramës për të kujtuar sot të atin nuk është e pamenduar. Kristaq Rama ka 22 vite që ka vdekur dhe deri më sot nuk e kemi parë kryeministrin të kujtojë me kaq patos një prej figurave qëndrore të kupolës së diktaturës dhe propagandës së saj, i papenduar asnjëherë që hodhi atë firmë kriminale për varjen e poetit Havzi Nela në vitin 1988, kur asnjë diktaturë në Lindjen komuniste nuk dënonte me vdekje. Dhe nuk ka asnjë rastësi që Havzi Nela u arrestua dhe u dënua për kundërshtimin e tij publik ndaj mbylljes së xhamive, kishave dhe teqeve nga Partia që sot drejtohet nga Edi Rama.

Në këtë ditë plot simbolikë të mbarsur me kuptim dhe mesazhe, komunikimi politik i Ramës nuk mund të dështonte në përdorimin e simbolikës karakteristike për të përcjellë vizionin e tij. Kryeministri e kremtoi edhe një herë veten si një pinjoll dhe përfaqësues i atij botëkuptimi dhe asaj klase politike e ideologjike që i shkaktoi organizmit kombëtar një arrest kardiak të paprovuar në Europë. Ai u krenua dhe u përlot virtualisht për atin e tij shpirtëror më shumë se sa për atin e tij biologjik bash këtë mot, kur përvjetori i vdekjes së tij përkoi me ditën e Kurban Bajramit.

Në këtë ditë të sakrifikimit të interesit vetjak dhe ngadhënjimit të përulësisë dhe dashurisë, Edi Rama dhe Lulzim Basha zgjodhën rrugë diametralisht të kundërta për të shënuar dallimin real që qëndron mes tyre. I pari zgjodhi të bëjë kurban edhe atë pëlhurë propagande me të cilën mbulon urrejtjen dhe përçmimin e tij për traditën shpirtërore të shqiptarëve dhe zgjodhi të veshë me pelerinën e madhështisë veprat e të atit në shërbim të diktaturës. I dyti zgjodhi të përnderojë trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve duke kremtuar një prej figurave më vetëmohuese të patriotizmit dhe besimit dhe duke u kthyer tek vepra e tij madhështore në shërbim të kombit dhe shpirtit.

Duke e kthyer familjen në një karrem politik për simpati dhe vota, Edi Rama është po aq i paskrupullt sa ç’është kur orvatet të lartësojë veprën e shëmtuar të të atit gjatë regjimit komunist pikërisht në një ditë që dëshmon triumfin mbi ateizmin zyrtar të atij regjimi. Ndërsa Lulzim Basha qëndron në truallin e tij botëkuptimor e ideologjik duke veneruar me përulësi modelin e njerëzve të mëdhenj të kombit shqiptar.

Artikulli i mëparshëmNdryshimet kushtetuese/ Tjetër reagim i ashpër nga PPE kundër Ramës
Artikulli i radhësFshihet ngjarja/ Makina e drejtorit të policisë përplas ‘Smart-in’, drejtuesja në gjendje të rëndë