Greqia rihapi sot gjashtë portet kryesore për anijet turistike, për herë të parë për këtë sezon turistik, të goditur nga pandemia e koronavirusit të ri, por asnjë anije nuk pritet për tre javë.
“Në një letër dërguar këtë javë për “Cruise Lines International Association” dhe tre operatorët e mëdhenj të kroçereve, ministri i Turizmit, Harry Theoharis theksoi se portet e Pireut (Athinë), Rodhosit, Heraklionit, Volosit, Korfuzit dhe Katakolos do të pranojnë sërish udhëtarë”, njoftoi agjencia e lajmeve ANA.
Pas mbërritjes në njërin nga këto gjashtë porte, anijet do të jenë në gjendje të shkojnë diku tjetër në Greqi, në varësi të kushteve lokale në lidhje me pandeminë.
Por ministri grek përgjegjës për transportin detar, Giannis Plakiotakis theksoi të enjten se lundrimet nuk mund të rifillojnë vetëm pas 20 gushtit.
Ai pretendoi se pasagjerët ndërkombëtarë të lundrimit kishin shprehur dëshirën e tyre për t’u rikthyer në ujërat greke, por shtoi se “kroçeret janë një biznes ndërkombëtar dhe përballen me probleme serioze për shkak të koronavirusit”.
Me një të katërtën e ekonomisë së saj të varur nga turizmi, Greqia po kërkon të ringjallë këtë sektor duke theksuar shkallën relativisht të ulët të kontaminimit të koronavirusit.
Vendi rihapi kufijtë tokësorë në qershor, para se të autorizonte më 1 korrik rifillimin e fluturimeve, kryesisht europiane.