Zgjedhja e një fituesi mund të jetë e vështirë
Procesi ka nisur! Më 8 korrik, u mbyllën kandidaturat për drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Gjatë muajve të ardhshëm, anëtarët do të përpiqen të zgjedhin midis tetë kandidatëve, me shpresën për të shpëtuar institucionin nga gjendja aktuale.
Procesi do të nxjerrë në pah disa nga karakteristikat më të mira të OBT-së, por gjithashtu do të tregojë pse organizata është në një rrëmujë të tillë, shkruan The Economist.
Përkrahësit e sistemit tregtar shumëpalësh mburren me transparencën e saj. Në përputhje me këtë parim, posti më i lartë në OBT nuk pritet të merret nga një europian apo amerikan, ndryshe nga posti në FMN ose Bankën Botërore.
Në fakt, nuk ka kandidatë nga Amerika, Kina, Bashkimi Europian, India apo Japonia. Kandidatët vijnë nga vende si Egjipti, Moldavia, Meksika dhe Koreja e Jugut.
Anëtarët do të zgjedhin mes disa kandidatëve të fortë. (Kandidati i Britanisë, Liam Fox, nuk është një prej tyre.) Kandidatja e Nigerisë, Ngozi Okonjo-Iëeala, është një eksperte në politikë: ajo ka qenë ministre e Financave dhe ka drejtuar për vite me radhë operacione në Bankën Botërore.
Kandidatja e zgjedhur nga Kenia, Amina Mohamed, është një eksperte në tregti: ajo kryesoi konferencën ministrore të OBT-së në vitin 2015.
Duke filluar nga 15 korriku, kandidatët do të analizohen mirë nga anëtarët. Pastaj hyjnë në lojë aftësitë e OBT-së për arritjen e konsensusit: të 164 anëtarët duhet të bien dakord për fituesin. Procesi do të jetë pak a shumë si një terapi, thotë Hosuk Lee-Makiyama i Qendrës Europiane për Ekonominë Politike Ndërkombëtare. “Ata nuk e kuptojnë vërtet atë që duan derisa ulen dhe diskutojnë për të”.
Në këtë pikë, do të fillojë edhe realiteti i rrëmujshëm i negociatave të tregtisë. Ashtu siç përpjekja për konsensus mund të ulë ambiciet në bisedimet tregtare, kërkimi për një drejtor të ri të përgjithshëm mund të përfundojë me anëtarët që i heqin vizën cilitdo që kryen shkeljen më të vogël. Robert Lighthizer, përfaqësuesi i tregtisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë se nëse nuhat edhe “shenjën më të vogël” të antiamerikanizmit, ai mund të përdorë veton.
Gara me siguri do të nxjerrë në pah edhe tendencën e anëtarëve të OBT-së për të pasur konflikte dhe mosmarrëveshje. Një studim i ri i zyrtarëve qeveritarë, akademikëve, OJQ-ve dhe grupeve të biznesit, botuar nga Instituti i Universitetit Europian (EUI), ka zbuluar se shumë përfaqësues kombëtarë me qendër në Gjenevë, duan një kryetar të ri që t’i japë përparësi rivendosjes së Trupit të Apelit, një lloj gjykate e lartë për mosmarrëveshjet tregtare, që amerikanët e anuluan. Por ata janë më pak të interesuar për të reformuar sistemin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, të cilën amerikanët e dëshirojnë.
Muajt në vijim priten të nxjerrin në pah ndarjen midis ambicieve të kandidatëve dhe asaj çka institucioni mund të arrijë. Zonja Okonjo-Iëeala është zotuar të veprojë si ndërmjetëse midis Amerikës dhe Kinës. I duhet vërtet fat në atë drejtim. Abdel-Hamid Mamdouh i Egjiptit ka premtuar të “zhvillojë” aftësinë e OBT-së për të negociuar rregulla të reja. Por drejtori i përgjithshëm mund të shkojë vetëm aq larg sa duan anëtarët – dhe anëtarët nuk duan të bëjnë lëshimet e nevojshme.
Pra, fituesi i postit do të trashëgojë një punë vërtet të vështirë – gjithmonë, nëse arrihet të zgjidhet. Në rrethanat e sotme të tensionuara, konsensusi mund të mos jetë i arritshëm. Standardi është aq i ulët sa emërimi i çdo drejtori të përgjithshëm do të konsiderohej si një sukses. /Monitor.al