Si u vendosën në komision me 1 minutë kohë debat, ndryshimet kushtetuese

0

Më 30 korrik, Kuvendi miratoi me 106 vota pro ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë në dy nene të saj. Por, si asnjëherë tjetër më parë, Kushtetuta shqiptare u ndryshua në vetëm 2 orë e gjysëm diskutime në Kuvend.

Përveç temës, të enjten edhe koha në dispozicion për deputetët ishte shumë e vogël, ku atyre u jepej vetëm 1 minutë për të diskutuar mbi ndryshimin e Kushtetutës. Në lidhje me këtë kohë diskutimi në seancën plenare, është zbardhur edhe debati në Konferencën e Kryetarëve, të mbajtur më datë 22 korrik.

Ishin përfaqësuesit e opozitës parlamentare në këtë takim, Myslim Murrizi, Rudina Hajdari dhe Nimet Musai, të cilët u shprehën se do duhej të kishte më shumë minuta në dispozicion të deputetëve për të folur për një çështje kaq shumë të rëndësishme.

Por kërkesa e tyre nuk u pranua nga Kryeparlamentari Ruçi, i cili është shprehur se pandemia vijon të jetë shumë e rrezikshme dhe në këtë linjë mendimi me të ishin edhe deputeti socialist Ulsi Manja dhe opozitari Enver Roshi.

Ky i fundit, si për ironi të fatit, në këtë Konferencë të Kryetarëve, nisur edhe nga fakti që është mjek, ngriti shqetësimin për përhapjen e madhe të virusit, por vetëm pak ditë më pas u konfirmua si i prekur dhe tashmë është dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit.

DEBATI NË KONFERENCËN E KRYETARËVE

Myslim Murrizi: Meqë këto janë seancat e fundit të këtij sesioni parlamentar, të shihej mundësia, duke ruajtur këtë staturë dhe këtë format që ka pjesëmarrja në Parlament, ndoshta edhe me dakordësinë edhe të kolegëve e të kryetarëve të grupeve, që ta merrnim përsipër për t’i lajmëruar, duke ruajtur këtë distancë që ka salla, të kishte një hapësirë më të madhe për deputetët që duan të flasin këto ditë të fundit.

Nuk e di se si është mundësia në një kohë normale diskutimi, sepse me kohë të limituar, duke ruajtur kushtet e gjendjes jonormale të funksionimit të Parlamentit, kemi probleme me diskutantët. Pra, duke ditur që kemi 4 seanca rresht, nesër, të hënën, të mërkurën dhe të enjten, do të doja që të shihej si e arsyeshme nga ana e Konferencës së Kryetarëve që të kishte një hapësirë më shumë kohë për diskutim, por duke ruajtur distancën në Parlament. Pra, edhe një herë, nëse shihet e arsyeshme të zgjatet koha, në mënyrë që deputetët të kenë më shumë hapësirë për të diskutuar, por duke ruajtur distancën e vendosur në Kuvend.

Nimet Musaj: Mbështes kolegët e nderuar, Balla dhe Murrizi, që në diskutimet e datës 23 duhet patjetër të merrej në shqyrtim dhe në diskutim kjo marrëveshje e maxhorancës me opozitën jashtëparlamentare. Po ashtu, jam dakord që në seancën e posaçme të ditës së hënë, koha prej 2 orësh është më se e mjaftueshme për diskutime. Sa i takon seancës së datës 30 korrik, në të cilën do të diskutohen ndryshimet kushtetuese, koha, ashtu siç e propozoi edhe nënkryetari i Kuvendit, zoti Murrizi, të jetë një kohë më e gjerë ku deputetët të kenë mundësinë dhe hapësirën për të bërë diskutime për këtë çështje.

Rudina Hajdari: Edhe unë e mbështes hyrjen në kalendar të marrëveshjes së 5 qershorit, e cila u fut sot në rendin e ditës, për t’u votuar në seancën e datës 23 korrik. Gjithashtu, mbështes propozimin e zotit Murrizi sa i përket kohës që kanë në dispozicion deputetët, pasi mendoj se mund të gjendet hapësira, sidomos për ato seanca që janë të mbingarkuara, ose një konsensus për ta zgjatur minutazhin ose kohën që kemi në dispozicion, sepse është gati e pamundur që deputetët të flasin qoftë 1 minutë apo 3-4 minuta. Ndoshta do të ishte mirë që për çdo projektligj deputetët ta përmbledhin fjalën e tyre në një diskutim, por koha që ata kanë në dispozicion është mjaft e shkurtër edhe kështu siç është tani.

Ulsi Manja: Sa i takon propozimit të zotit Murrizi, i cili kërkon që të zgjaten orët e seancave plenare, qoftë në diskutimin e datës 23 korrik, ku do të votohet Kodi Zgjedhor apo të seancës së datës 30 korrik, ku do të votohen ndryshimet kushtetuese, sipas asaj që propozohet në kalendarin e punimeve të Kuvendit, jam koshient për rëndësinë e këtyre dy seancave plenare, por për sa kohë jemi dakordësuar që do të votohen si Kodi Zgjedhor, edhe ndryshimet kushtetuese, propozoj që të respektohet një princip themelor kushtetues, që është e drejta për jetën dhe shëndetin.

Në fund të fundit jetojmë në një situatë pandemie, ku dinamika e përhapjes së shifrave dhe e rasteve të shtrimit në spital është çdo ditë në rritje, si dhe duke qenë se salla e seancave plenare është një ambient i mbyllur, nuk jam dakord që të kemi kohë shtesë për të diskutuar ndryshimet kushtetuese. Ne të gjithë e kemi dhënë dakordësinë sa u takon ndryshimeve kushtetuese, kështu që në datën 30, zoti Murrizi, e kanë marr vesh i madh dhe i vogël në këtë republikën tonë që kërkohet hapja e listave për zgjedhjet e vitit 2021, që ne jemi dakord të hapen listat dhe populli të zgjedhë edhe deputetin edhe partinë. Nuk besoj se 1 orë shtesë në datën 30 do ta bindte atë palën tjetër që kundërshton hapjen e listave për të votuar ose jo ndryshimet kushtetuese .

Enver Roshi: Jam dakord me zotin Manja që të shikohet dinamika e rasteve në javët e fundit të COVID-it, i cili ka një shpërthim dhe një valë të dytë që mund të rrezikojë edhe jetën e deputetëve. Kështu që, në kushtet në të cilat ndodhemi, duhet pasur parasysh edhe mundësia e transmetimit të virusit brenda sallës së Parlamentit apo jashtë saj, ndaj të mos i krijojmë mundësi virusit që të përhapet. Pra, duke qenë se edhe salla nuk ka kondicionimin e nevojshëm, mendoj se duhet të përvëlojë jeta mbi diskutimet e çështjeve që sigurisht janë të rëndësishme, por fillimisht duhet pasur parasysh jeta e deputetëve.

Gramoz Ruçi: Lidhur me kohën që u trajtua këtu, seanca e datës 23, ju kujtoj se, duke i numëruar këtu, duket sikur janë shumë çështje, por, po t’i shikoni me kujdes, 2 janë interpelanca dhe 3 janë raportime të institucioneve kushtetuese, kështu që automatikisht shtohet koha. Interpelancat do të kenë përgjysmim të kohës së tyre dhe për deputetin, edhe për ministrin, por do të zgjasin një orë. Po kështu, raportimi i institucioneve të pavarura do të zgjatë nga gjysmë ore dhe të gjitha shkojnë shkojë 4 orë e gjysmë. Unë mendoj se nuk është koha që na pengon. Jam dakord me propozimet e kolegëve se duhet të jetojmë me situatën, por nuk duhet të harrojmë që para pak minutash u anulua edhe aktiviteti për ndarjen e çmimit “Nobel” vetëm për arsye të pandemisë. Kështu që le të qëndrojmë te vendimi i mëparshëm i Konferencës së Kryetarëve./ Panorama,al

Artikulli i mëparshëmPSG i prish punë Liverpulit, gati oferta për mesfushorin e Bajern Mynihut
Artikulli i radhësAnxhela Peristeri pozon joshëse në bikini nga pushimet