Telekom Albania, operatori i dytë më i madh i telefonisë celulare në vend ka ndryshuar emrin e tij tregtar. Sipas depozitimit të bërë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të bërë në datën 27 korrik, emri i subjektit nga “Telekom Albania” bëhet “One Communication”, ndërsa emri tregtar nga “Telekom Albania” bëhet “ONE”.
Ndryshimi i emrit erdhi më shumë se një vit pasi kompania u ble nga shqiptaro-bullgarët e “Albania Telecom Invest AD”. Deri tani, kompania kishte përdorur markën tregtare “T”, të aksionerit të mëparshëm “Deutsche Telecom”.
Krahas ndryshimit të emrit, kompania ka miratuar pasqyrat financiare dhe ka vendosur që të shpërndajë një dividend në total prej rreth 4 milionë euro, nga të cilat 2.2 milionë euro janë divident për fitimet e vitit 2019 dhe 1.8 milionë euro i përket fitimeve të viteve të kaluar.
Fitimi neto për vitin 2019 është 268.6 milionë lekë (rreth 2.2 milionë euro), ndërsa fitimi gjithëpërfshirës ishte 1.16 miliardë lekë.
Operatori i telefonisë celulare i është rikthyer fitimeve pas disa vitesh me humbje të mëdha. Sipas bilancit të vitit 2018, humbja në 2017-2018 ishte mesatarisht rreth 39-40 milionë euro.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në tremujorin e parë 2020, Telekom Albania kishte 990.6 mijë përdorues aktive, me një rritje prej 4.1% në raport me fundin e 2019-s, duke e renditur atë në operatorin e dytë më të madh në vend, pas Vodafone, me 38% të tregut, sipas numrit të operatorëve aktive.
Të ardhurat e Telekom Albania për vitin 2019 ishin 8.2 miliardë lekë, sipas AKEP, nga gati 8.8 miliardë lekë, që u raportuan në vitin 2018, sipas bilancit zyrtar.
Shitja e aksioneve
Në 2018-n, grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e nxori atë në shitje. Në janar 2019, u njoftua se blerësi ishte sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. “Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Spase Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar.
Pak ditë përpara miratimit të kalimit përfundimtar të aksioneve të “Telekom Albania” te bullgaro-shqiptarët e “Albania Telecom Invest AD” (që u finalizua në 7 maj 2019), kompania vendosi, si pjesë e marrëveshjes së blerjes, të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e “Cosmote Mobile Telecommunication”. Shoqëria kishte një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga viti 2001 deri në vitin 2010. Shuma që iu shpërnda aksionerëve në formën e dividendit është në vlerën e rreth 50 miliardë lekëve.
Nga viti 2001 deri në 2016, “Telekom Albania” (ish-AMC) ka realizuar fitime prej rreth 730 milionë eurosh, sipas të dhënave zyrtare nga bilancet./Monitor