Theo Jacobs tha hapur atë që ndërkombëtarët guxojnë vetëm ta mendojnë

0

Disa javë më parë, Theo Jacobs, anëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) i drejtuar nga Genoveva Ruiz Calavera, e pa të arsyeshme të dilte nga kuadri kushtetues dhe ligjor brenda të cilin ai duhet të veprojë dhe komentoi mbi një proces gjyqësor të nisur nga Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit kundër anëtarit të Kolegjit të Posaçme të Apelimit (KPA) Luan Daci.

Daci u akuzua zyrtarisht për falsifikim të dokumenteve—për fshehjen e një shkarkimi të mëparshëm nga detyra, i cili do ta kishte bërë të papërshtatshëm për të qenë anëtar i KPA-së dhe rrjedhimisht ai nuk mund të merrte pjesë në procesin themelor të vetingut të drejtësisë.

Megjithëse Daci fillimisht u pezullua nga detyra nga Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit, më pas ai u rikthye në detyrë me vendimi të gjykatës së apelit. Ai ka vazhduar të gjykojë anëtarët e sistemit të drejtësisë pavarësisht procesit gjyqësore të nisur ndaj tij.

Por Theo Jacobs nuk dukej aspak i kënaqur me procesin e nisur kundër Dacit, duke u deklaruar se gjyqtarët në Gjykatën Speciale dhe prokurorët e sapoemëruar në SPAK’ut “nuk duhet të ishin aty”.

Jo vetëm që Jacobs—një “specialist” gjoja apolitik, asnjanës dhe i pavarur—komentoi hapur një proces gjyqësor nga një gjykatë shqiptare, por ai po sulmon haptasi edhe “xhevahirin e kurorës” së Reformës në Drejtësi, SPAK-un.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) iu kundërpërgjigj deklaratave të Jacobsit këtë javë, duke theksuar—pa ironi—se të gjithë prokurorët e SPAK kishin kaluar vetingun, nën syrin vigjilent të Jacobsit dhe kolegëve të tij.

Kështu, KLP-ja duket se po pyeste, nëse me të vërtetë ata prokurorë “nuk duhet të ishin” pjesë e SPAK-ut, cila palë nuk kishgte arritur ta bënte punën e saj, KPA-ja apo ONM-ja?

Nuk është për t’u habitur që ONM vetë u distancua nga “vëzhguesi i pavarur” i saj.

Por pse Jacobs është kaq armiqësor ndaj hetimit të SPAK-ut për çështjen Daci? Natyrisht, sepse ata, duke patur një interes personal në suksesin e Reformës në Drejtësi, shohin një rrezik të madh me dënimin e Dacit.

Jacobs—i njohur tashmë për stilin e tij të pakuptimtë, të drejtpërdrejtë dhe nganjëherë agresiv—po thotë hapur atë që të tjerët guxojnë vetëm sa ta mendojnë: dënimi i Dacit do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për punën e tij dhe të kolegëve të tij, mund të rrëzonte pjesërisht apo të gjithë procesin e vetingut.

Kjo ka të bëjë e gjitha me çështjet gjyqësore aktuale që janë në pritje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), veçanërisht me atë të ngritur nga Antoneta Sevdari.

Çështja thelbësore që GJEDNJ-ja ka marrë në shqyrtim është nëse organet e vetingut përbëjnë një “trupe të pavarur dhe paanshme”.

Dënimi i Dacit do të siguronte prova të forta se ato nuk janë të tilla, që do të kuptonte se është cenuar e drejta themelore për një gjykim të drejtë.

Prandaj, ka nisur ankthi mes ndërkombëtarëve për çështjen Daci. Atyre nuk u intereson nëse ai është fajtor apo jo. Atyre nuk iu intereson shteti i së drejtës. Ata thjesht shqetësohen për karrierën e tyre dhe të drejtën për t’u mburur se kanë “rregulluar” gjyqësorin shqiptar.

Dhe për të shpëtuar lëkurën e tyre, ata janë të gatshëm të sulmojnë një institucion, me anë të të cilit do të rrisnin besimin e publikut: SPAK.

Dhe Daci është vetëm fillimi i problemeve të tyre. Akuza të ngjashme janë ngritur edhe ndaj anëtarëve të tjerë të organeve të vetingut si Alma Faskaj dhe Ardian Hajdari.

Në një kundërshtim paraprak, Ruiz Calavera tashmë ka pohuar se çdo dënim i mundshëm i Dacit, dhe konfirmimi i papranueshmërisë së tij për detyrën në KPA, nuk do t’i bënte të pavlefshme vendimet e marra prej tij në të kaluarën.

Një paragraf nga opinioni i Komisionit Evropian dhënë në kuadër të çështjes së paraqitur nga Besa Nikëhasani në GJEDNJ jep një argument të ngjashëm:

“Është e vërtetë që ky konformitet i përgjithshëm nuk përjashton që, në raste individuale, rregullat e vetting-ut interpretohen ose zbatohen në atë mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me kërkesat për një proces të denjë dhe zbatim të të drejtave themelore të njeriut. Sidoqoftë, Komisioni pohon se nëse do të identifikoheshin mangësi të tilla, ato duhen korrigjuar pa vënë në dyshim elementet thelbësore të Vetting-ut.”

Me fjalë të tjera, Komisioni Evropian argumenton se edhe nëse Daci dhe disa gjyqtarë të tjerë rezultojnë se janë emëruar në mënyrë të paligjshme, dhe madje edhe nëse organet e vettingut rezultojnë të mos jenë as të paanshëm dhe as të pavarur, vettingu duhet të vazhdojë me çdo kusht.

Në vitin 2017, kur pas shumë vonesave u hap ndërtesa ku kanë zyrat institucionet e vetingut, Jacobs mbajti një fjalim, ku ndër të tjera deklaroi:

“Duke përfshirë edhe punën që do të bëhet në këtë ndërtesë, kolegët e mi dhe unë në të ardhmen do të hasim vështirësi në këtë proces të gjatë dhe sfidues. Sidoqoftë, nuk do të na mungojë përkushtimi për të bërë operacionet e nevojshme në sistemin e drejtësisë. […]

Ky operacion… do të sjellë drejtësi në vend. Ne duhet të jemi të qartë për mundësitë që ONM-ja do të na japë për të ndarë përvojën me komisionerët e pavarur për të sjellë drejtësi në Shqipëri.”

Mund të imagjinojmë se Jacobs, ish-Kryeprokurori i EULEX-it në Kosovë, duhrt të ketë mbajtur një fjalim të ngjashëm kur filloi mandatin e tij atje. Por që në fillim, Jacobs u përfshi në polemika rreth çështjes se cili ligj do të duhej të zbatohej në gjykatat e Kosovës, duke çuar, sipas letërkëmbimeve konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Kosovë, në “një mish-mash konfuzioni e gabimesh të vendimeve juridike pa konsistencë të brendshme.”

Nuk është për t’u habitur që EULEX-i u provua në fund të ishte një dështim, i cili në 13 vitet e tij të ekzistencës nuk qe në gjendje të krijojë asgjë që mund t’i ngjajë një gjyqësori të pavarur apo shtetit të së drejtës. Pasojat e këtij dështimi janë më se të dukshme tashmë.

Nëse Daci dënohet apo jo, ka pak rëndësi. Sulmi i Jacobsit ndaj zyrtarëve të vetuar shqiptarë, pozicioni i papërcaktuar i Ruiz Calaveras dhe Komisionit Evropian, dhe degjenerimi i përgjithshëm i shtetit të së drejtës në Shqipëri tashmë tregojnë se Reforma në Drejtësi është drejt rrugës për t’u bërë eksperimenti i radhës i dështuar i BE-së në Ballkan.

Artikulli i mëparshëmVIDEO/ Aksidenti i rëndë, motorri përplas këmbësorin në Vlorë
Artikulli i radhësPërdorimi i telefonave natën mund të rrisë mundësitë e shfaqjes së kancerit, tregon studimi