Vllaznia mbetet në Superiore: shkodranët e Besëlidhjes nuk mjaftojnë në Loro Boriçi

    0

    Superioria nuk humbet një emër të traditës, që nuk është se nuk rrezikoi, duke shkuar në playout në fund të një sezoni të trazuar, por në Loro Borici Vllaznia nuk e coi dëm avantazhin e stadiumit të shtëpisë, duke thyer 3-1 Besëlidhjen. Nuk mjaftuan shkodranët e lezhianëve, duke filluar nga Elvis Plori në pankinë, por as serbi Djordjevic sepse në anën tjetër kishte shumë kualitet për tu përballuar nga një skuadër e Kategorisë së Parë, edhe kur është ajo që ka nxjerrë nga Kupa e Shqipërisë Partizanin.

    Në Playout, në një ndeshje për jashtë e brenda, është tjetër histori dhe lezhianët edhe nëse nuk e dinin e mësuan kur pësuan dy gola për tre minuta. Impakti i ndeshjes për të besuarit e Dedjas ishte i jashtzakonshëm, ndoshta të shtyrë nga dëshira për të mos i lënë në dorë asgjë rastësisë. Arsid Kruja në minutën e 15-të gjeti këndin e pambuluar të portës së Besëlidhjes, ndërsa silura e Herald Markut tre minuta më pas ishte e pakapshme për portierin e bluve.

    Plori kërkoi nga të tijtë të mos hiqnin dorë nga ndeshja pa e provuar dhe ai që e kuptoi mesazhin ishte Djordjeviç. Sulmuesi serb ndoqi mirë aksionin në minutën e 32-të, duke ndëshkuar Efremov nga fare pranë. Por është një lojë e hapur vetëm në dukje, sepse kuqeblutë mbajnë mirë fushën, nuk rrezikojnë prapa dhe në kundërsulm mbyllin llogaritë me kapitenin Gilman Lika në minutën e 77-të.

    Një gol që vendos qëndrimin në Superiore për sezonin e ardhshëm për Vllazninë, që me Xhaferrin në krye të klubit shpresojnë që të bëjnë një sezon krejt ndryshe nga ky që sapo u mbyll.

    Artikulli i mëparshëmVllaznia mbetet në Superiore: shkodranët e Besëlidhjes nuk mjaftojnë në Loro Boriçi
    Artikulli i radhësModeratore në emisionin grek, ish-Miss Shqipëria zëvendëson figurën e njohur të ‘SKAI’