Nga Giancarlo Sturloni “Wired”
* Gjashtë muaj pas rasteve të para me Covid-19 në Itali, është koha e bilanceve. Natyrisht, jo gjithçka shkoi mirë. Por ne mund të përfitojmë nga ato që mësuam, për të shmangur rreziqet e një valë të dytë të koronavirusit. Dhe ja çfarë kemi mësuar në këto muaj dramatikë.
1. Për emergjencat, duhet të përgatitemi në kohëra normale
Ne e dinim që do të ndodhte:një pandemi me pasoja shkatërrimtare në shëndetin e popullatës dhe mbi ekonominë globale. Pyetja nuk ishte nëse, po kur. E megjithatë, bota u gjend sërish e papërgatitur.
Kambana e parë e alarmit që ra në vitin 2003, kur SARS- i la të kuptohet se koronaviruset mund të shkaktojnë diçka më të keqe, se sa një e ftohur e zakonshme. Që të mos gjendemi sërish të papërgatitur, ne kemi nevojë për më shumë planifikim, përgatitje, ndarje të dhënash dhe transparencë. Dhe kjo jo për pandeminë tjetër, por për një valë të dytë të mundshme të Covid-19 në vjeshtë.
2. Masat bllokuese funksionojnë, por ato nuk mund të zgjasin shumë, pasi kanë kosto tepër të madhe ekonomike
Një studim nga Kolegji Mbretëror i Londës, vlerëson se masat e kontrollit në Itali, shmangën vdekjen e rreth 38.000 njerëzve nga Covid-19. Por ne kemi parë gjithashtu se një bllokim total i aktivitetit ekonomiko-social të një vendi, ka një kosto të papërballueshme sociale, ekonomike dhe psikologjike.
Ai mund të shërbejë si zgjidhja e fundit në dispozicion, nëse siç ndodhi në Kinë dhe Itali, shpërthimet e para epidemike nuk vihen dot në kontroll, dhe kur epidemia është duke u përhapur me një ritëm të shfrenuar. Por një bllokim i dytë, duhet të shmanget me çdo kusht.
3. Testo, gjurmo, trajto
Për të kontrolluar vatrat epidemike, një vendi i nevojitet një sistem i aftë për të identifikuar dhe izoluar të gjitha rastet e dyshuara. Në Itali aplikacioni “Immuniu”, është shkarkuar deri tani nga më shumë se 4 milion italianë. Por ka të ngjarë që ai të ketë një rol dytësor në frenimin e valës së dytë.
Fatmirësisht, këtë herë autoritetet shëndetësore i kanë forcuar kapacitetet për ta përballuar atë më mirë. Ndërkohë në mungesë të ilaçeve dhe vaksinave specifike, mbrojtjet tona më efektive janë ato të të gjitha kohërave:larja shpesh e duarve, distancimi social, dhe mbajtja e maskave.
4. Rroftë shëndeti publik!
Pandemia ka treguar se ne duhet të mbështetemi fort tek shërbimi shëndetësor shtetëror. Edhe pse në dekadat e fundit, sistemi shtetëror ka pësuar një rënie të financimeve në Itali, fakt është se ai përballoi peshën më të madhe në këtë pandemi, ndërsa kontributi i sistemit privat është shfaqur vonë dhe ka qenë periferik, veçanërisht në Lombardi.
5. Nevojiten udhëzime të besueshme
Indeksi Global i Sigurisë së Shëndetit, që mat gatishmërinë e një vendi ndaj pandemive, e rendit Italinë shumë dobët në aspektin e komunikimit të rrezikut. Në disa raste, rreziku madje është shpërfillur, duke shkelur atë që konsiderohet rregulli i parë në komunikimin e emergjencës. Sipas një studimi, vetëm një e pesta e italianëve, janë mbështetur në kanale të drejtpërdrejta nga burime institucionale, për t’u informuar mbi koronavirusin.
6. Pa të dhëna të besueshme, rrezikohet të ecet në drejtim të paditur
Pa një plan anti-pandemi, një koordinim efektiv midis institucioneve të ndryshme të përfshira në menaxhimin e rrezikut, dhe me vështirësinë e marrjes së vendimeve mbi të dhëna të besueshme, qytetarët marrin informacione konfuze dhe kontradiktore.
Dhe në Itali moskoordinimi midis rajoneve dhe qeverisë qendrore, vonoi masat për të frenuar vatrat e para të nxehta, ndaj shumë shpejt u bë e qartë se situata ishte jashtë kontrollit. Kjo pandemi, na mësoi se qasja e të gjithëve tek interneti, duhet të konsiderohet një shërbim thelbësor si uji dhe dritat.
7. Jemi shumë të brishtë
Ekspertët druhen se pandemitë do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Zgjerimi i vendbanimeve urbane në zonat e shpyllëzuara, përhapja e fermave të mëdha dhe tregtia e kafshëve të egra, kanë shumëfishuar mundësitë për kontakte me viruset dhe bakteret që qarkullojnë te kafshët.
Është prania jonë ndërhyrëse, ajo që na bën të prekshëm nga pandemitë. Ne mund të ulim rrezikun, vetëm duke ndryshuar marrëdhëniet tona me mjedisin dhe kafshët shtëpiake apo të egra. Ruajtja e pyjeve, konsumi më i pakët i mishit, është mënyra më e mirë për të parandaluar pandemitë .