Duket se më në fund prag-kolapsi në spitalet Covid-19, po pranohet edhe nga qeveria. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama postoi pamje nga poliklinika nr.10, e cila po përshtatet për luftën kundër infeksionit. Kujtojmë se Shqipëria pavarësisht nga thirrjet e specialistëve, refuzoi që të inkuadronte `mjekun e familjes` në këtë betejë, siç bënë të gjitha vendet në Europë.
Nga ana tjetër mësohet se gjendja në dy spitale funksionale Covid 1 dhe 2 po shkon drejt kolapsit dhe nuk ka informacion dhe transparencë, nëse Covid 3 dhe 4 do të jenë në dispozicion në një kohë të shpejtë.
Në këtë situatë 50 infermierë të rinj kanë zbarkuar në spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi” në luftë kundër Covid19. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka takuar infermierët e rinj në spitalin COVID2, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve spitalore edhe me burime njerëzore është në fokus të qeverisë.
“Një periudhë e vështirë na pret. Është në dorën e secilit prej nesh këputja e zinxhirit të infeksionit, duke zbatuar masat e thjeshta, me vendosjen e maskës, ruajtjen e distancimit fizik dhe higjienën personale”, tha ajo.
Para dy ditësh, burimet thanë për SYRI.net se sanatoriumi është mbushur. Burimet thonë se janë 200 të shtruar, ndërkohë që kapaciteti i spitalit është 190 pacientë. Për momentin në këtë spital dërgohen të sëmurë nga Tirana dhe nga rrethet.
Burimet thonë se mjekët dhe infermierët po punojnë deri në 12 orë në ditë, kurse kapacitetet janë në limitet maksimale. Sipas burimeve ka të paktën 15 shtrime në ditë në sanatorium. Por teksa kjo situatë është kaotike, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se në të dy spitalet janë afro 110 të shtruar. Diferenca mes shifrave zyrtare dhe atyre reale është dyfishi.