Në votimet e pranverës së ardhshme, banorët e qarkut Dibër do të zgjedhin një deputet më pak. Kjo për shkak se në regjistrat e gjendjes civile është vënë re një rënie e popullatës në këtë qark, dhe rritja ka shkuar në kryeqytet dhe në rrethinat e Tiranës.
Për këtë arsye, në përllogaritjen e re të numrit të deputetëve që do të zgjidhen nga çdo qark, Dibra nuk do të ketë më 6 përfaqësues në parlament, por 5.
Në Dibër, aktualisht PS dhe PD kanë nga dy deputetë, ndërsa LSI dhe PDIU, nga një të zgjedhur, shkruan abcnews.al.
Mandati që i hiqet qarkut verilindor, do t’i shtohet qarkut Tiranë, duke e bërë atë me 35 ligjvënës.
Sipas të dhënave të siguruara nga abcnews.al në qarqet e tjera nuk ka lëvizje mandatesh, pasi uljet apo rritjet e numrit të popullsisë nuk janë aq të mëdha sa për të ndikuar tek shpërndarja e deputetëve.
Gjithësesi, do të jetë KQZ-ja ajo që do të zyrtarizojë këtë çështje përmes një vendimi të posaçëm.