Edhe dy skuadrat e tjera pjesëmarrëse shqiptare në Ligën e Europës Teuta dhe Laçi kanë mësuar rivalët e mundshëm me të cilët do të debutojnë këtë sezon në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të klubeve të Europës.
Durrsakët kanë në letër 3 rivalë të përballueshëm Sutjeska/Iskra Danilovgrad (Mali i Zi) dhe Beitar Jeruzalemin (Izrael). Ndërsa, qipriotët e njohur të APOEL-it janë kandidati i fundit për t’u përballur me “djemtë e detit”. Sipas ndarjes së vazove, Teuta është vendosur në grupin 15 në një vazo me Lokomotivën e Plovdivit (Bullgari), Borac Banja Luka (Bosnje Hercegovinë), Tre Pene (San Marino) dhe Gjilanin (Kosovë).
Në krahun tjetër Laçi mund të çiftohet me dy ekipe të Azerbajxhanit Neftçi Bakun/ Keslan, ose me Hapoel Ber-Shevan (njëra prej skuadrave më të forta të Izraelit). Kurbinasit janë vendosur në grupin 9 në një vazo me Shkupin (Maqedoni e Veriut) dhe Batumin (Gjeorgji).
Kukësi, Teuta dhe Laçi do të mësojnë rivalin përfundimtar në raundin e parë të Ligës së Europës nesër në orën 12:00 në shortin që do të hidhet në Nion të Zvicrës.
Ekipi i Skënder Gegës ndihet pesimist nga shorti pasi të tre rivalët: Akademia Pushkash (Hungari), Krakovia (Poloni) dhe Slavia Sofia (Bullgari) vijnë nga kampionate të forta.