Emiliano Shullazi dhe disa pjesëtarë të organizatës së tij, që gjenden prej 4 vitesh prapa hekurave, ishin ndër të parët që ju nënshtruan sistemit të izolimit të lartë në burg.
Pra sipas regjimit të posaçëm 41bis, i cili iu imponua sistemit tonë të drejtësisë nga ndërkombëtarët; lamtumirë telefonatave private, kushteve më të mira në qeli, takime të shpeshta etj.
Por duket se ky vendim jo vetëm nuk i ka pëlqyer emrit të njohur të krimit në vend, por madje edhe ka hapur një betejë me të gjitha institucionet për ta kthyer mbrapsht.
Pas apelimeve të para, së fundmi avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, për këtë çështje i është drejtuar me një letër edhe presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Në tekstin e saj, një nga argumentet kryesore se përse Shullazit nuk i takon regjimi special 41bis është fakti, se pikërisht `i tmerrshmi` i Tiranës i akuzuar për pengmarrje, gjobë-vënie e i përfshirë në atentate të shumta, ka qenë për afro dy vite në burg një punonjës shembullor i bibliotekës!
“Sqarojmë se Emiljano Shullazi, ka në paraburgim plot 4 vjet e 3 muaj, ne dy vjet e gjysmë ka qenë edhe i punësuar në Bibliotekën e Burgut, nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore për shkelje të rregullores ndaj tij. Si ta shpjegojmë që ky indicid, ka respektuar me përpikmëri rregulloren nga njëra anë dhe një ditë të bukur me diell, si ‘rrufe në qiell të pastër”, u bë “Armiku Publik” që duhej patjetër të izolohej në regjimin e posaçëm 41bis?”, shkruhet mes të tjerave në letrën që Shullazi i ka dërguar treshes më të lartë të shtetit.