Çfarë do që të arrijë Erdogani duke shpikur krizë pas krize?

0
Çfarë do që të arrijë Erdogani duke shpikur krizë pas krize?

Nga Yavuz Baydar “Ahval News”

Ndërsa reagimet ndërkombëtare ndaj krizës në përshkallëzim e sipër midis Turqisë dhe Greqisë, janë të para edhe në të shkuarën, çështja është nëse një qëndrim i shkëputur nga Bashkimi Evropian, do të vazhdojë ta trimërojë presidentin turk Rexhep Taip Erdogan dhe grupin e ish-oficerëve që e nxisin administratën e tij drejt një përplasje ushtarake me
Athinën.

Po çfarë dëshiron të tregojë udhëheqësi turk i dorës së fortë, teksa po shfaq një qasje “liro-shtërngo” ndaj shpimeve në një zonë detare, për të cilën Greqia thotë se është pjesë e ujërave e saj territoriale?

Cila është fund-loja e tij?

Tabloja e përgjithshme mbetet e ndërlikuar, duke krijuar një kontekst të “ekuilibrit të terrorit” që i mban përballë njëra-tjetrës flotat turke dhe greke, duke e shtuar shqetësimin se mosmarrëveshja mund të dalë lehtësisht jashtë kontrollit.
Megjithatë, serioziteti i kësaj situate duket se përforcohet nga një apati e pazakontë nga ana e Bashkimit Evropian, me përjashtim ndoshta të Francës. Greqia, e mbështetur nga Qipro, bëri thirrje për një takim urgjent të liderëve të BE, propozim që u pranua. Takimi i Këshillit për Punë të Jashtme, do të mbahet të premten.

Ndërkohë dimë që Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias, do të takohet po të premten në Vjenë me Sekretarin amerikan të Shtetit Amerikan, Majk Pompeo. Vlen të përmendet se ambasadori amerikan në Vjenë, Xhefri Pjat, është shndërruar në një figurat kryesore në menaxhimin e kësaj krize, përmes lëvizjeve të tij të forta diplomatike.
Kohët e fundit, edhe Izraeli e ka thyer heshtjen e tij, dhe ka ofruar “solidaritet të plotë” ndaj Greqisë. Për momentin nuk ka asnjë shenjë, se aktivitetet e anijes kërkimore turke do të ndalen. Aktiviteti i anijes “Oruç Reis”, i ndihmuar nga 9 anije luftarake turke, po i mban lart tensionet midis 2 vendeve fqinje. Muajin e kaluar, Erdogani i ndaloi shpimet në këtë zonë, me kërkesë personale të kancelares gjermane Angela Merkel. Por ai i rifilloi ato javën e kaluar, i zemëruar nga lajmi se Greqia nënshkroi një marrëveshje mbi Zonën Ekonomike Ekskluzive me Egjiptin, pakt për të cilin Ankaraja thotë se i mbivendoset në pjesë të mëdha marrëveshjes që ajo vetë ka nënshkruar më herët me Qeverinë e Akordit Kombëtar në Tripoli të Libisë.

Duke pasur parasysh qëndrimet e dykuptimta të BE-së në lidhje me Mesdheun Lindor, Erdogan dhe ekipi i tij mendojnë se u është dhënë hapësira e konsiderueshme për të vazhduar lojën e “maces me miun” me anëtarët e përçarë të unionit.
Presidenti turk është tërësisht i vetëdijshëm mbi mungesën e udhëheqjes së BE-së në këtë situatë, dhe ai e di shumë mirë se anëtarët e saj nuk mund të kenë kurrë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të integritetit territorial të bashkimit të tyre.
Ky fakt po shihet me kujdes edhe nga Moska, që nuk është pajtuar me tërheqjen e ndikimit të saj nga shtetet e Baltikut. Brukseli mund të mos jetë plotësisht i vetëdijshëm për konjukturën aktuale, por cilado qofshin zgjedhjet e veta, ato do të kenë pasoja shumë të mëdha, ndoshta duke e inkurajuar më tej aventurizmin ndërkombëtar.

Tani që e dimë se reagimet rreth krizës në Mesdheut Lindor janë futur në një rreth vicioz, lind sërish pyetja që ngrita në fillim:Cilat janë synimet e vërteta të Erdoganit? Për këtë çështje, ai pritet të ketë një bisedë telefonike me Merkelin. Dhe ajo telefonatë mund të përcaktojë shumëçka.

Thuhet se Erdogan, dëshiron të shpallë propozimin e tij për një “formulë” të pranuar midis shteteve të Mesdheut lindor. Të martën, ai foli për një “formulë që është e pranueshme për të gjithë, dhe që mbron të drejtat e të gjithëve”. Megjithatë, ekzistojnë 3 arsye që mund ta shndërrojnë bisedën telefonike në një dështim. Së pari, Turqia nuk e njeh Republikën e Qipros, dhe pozicioni i BE-së përballë statusit të Qipros Veriore të aneksuar nga Turqia është shumë problematik.

Së dyti, siç e dimë që nga fillimi i konfliktit, Turqia nuk e ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit (UNCLOS) të vitit 1982, mbi të cilën bazohet edhe marrëveshja e fundit Greqi-Egjipt. Së treti, ka dyshime nëse Gjermania është realisht e duhura për këtë mision delikat. “Unë dyshoj nëse Gjermania do të kishte një peshë të mjaftueshme diplomatike për të pasur rezultate në rajon”- tha pak ditë më parë Stefan Roll, kreu i departamentit të kërkimit mbi Lindjen e Mesme dhe Afrikën në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, në një intervistë për “Deutsche Welle”.

“Merrni ‘Procesin e Berlinit’, të cilin Gjermania e ndërmori për të zgjidhur konfliktin civil në Libi. Nuk ka pasur asnjë progres. Gjermania nuk ishte në gjendje të ndikonte tek palët që të arrihej në fund një marrëveshje. Pra Gjermania nuk është shumë e fuqishme. Për momentin, ajo mund të ndihmojë vetëm për një periudhë afat të shkurtër në një situatë urgjente, siç është biseda telefonike e kancelares Angela Merkel me presidentin turk Erdogan, disa javë më parë”-tha ai.

Pra, përfundimi i arsyeshëm mund të jetë që kjo lojë shumë e rrezikshme do të vazhdojë dhe për ca kohë. Për Erdoganin, ajo është e dobishme në 2 nivele. Në Turqi, ai dëshiron të duket se është udhëheqësi dhe komandanti i përgjithshëm që ka çdo gjë nën kontroll, duke mbrojtur interesat rajonale të Turqisë, për të cilat ai thotë se gjenden nën një kërcënim të madh.
Ai arriti të përçajë më tej disa segmente të bllokut opozitar, duke fituar mbështetjen e të paktën një partie të së ashtuquajturës “Aleanca Kombëtare”, me Partinë İyi (Partia e Mirë) të linjës së fortë nacionaliste, që deklaroi mbështetjen e saj të plotë për aktet e fundit të Ankarasë në Mesdheun Lindor.

Me ndarje të tilla brenda opozitës, Erdogan ka shpresa të mëdha të vazhdojë sundimin e tij, një strategji që mund të jetë e suksesshme. Në nivelin ndërkombëtar, vendimtare do të jenë marrëdhëniet Ankara-Uashington. Erdogan i ka varur shpresat tek Donald Trump, prandaj zgjedhjet e ardhshme në SHBA kanë fituar dimensione ekzistenciale për të dhe strukturën e tij administrative, aktualisht një kartel pushtetarësh i përbërë nga oficerë nacionalistë, “Ujqër të Murrmë” të së djathtës ekstremiste, dhe ekstremistë.

Erdogan shpreson që Trump të fitojë një mandat të dytë, por mund të ketë llogaritur që Trump edhe mund të humbasë. Gjithsesi për çdo rast, ajo që ai duket se synon – dhe shpreson – është zgjatja e pranisë së tij ushtarake në Mesdheun Lindor, në Egje dhe Libi, në mënyrë që të jetë në gjendje të negociojë – nga një pozitë më superiore – legjitimitetin e tij të mëtejshëm me presidentin e ri amerikan dhe NATO-n.
Duke u treguar deri tani e butë me të, BE nuk e ka sfiduar Erdoganin, dhe nëse kjo do të ndodhte tani, nuk do të kishte asnjë efekt. Erdogan do të vazhdojë të jetë padyshim maksimalist në pretendimet e tij, dhe kundërshtues i kërkesave të BE-së, pasi ai nuk ka luksin të shihet nga turqit si një lider i dobët që bën lëshime.

Ai ka nevojë të riprodhojë çdo ditë imazhin e një lideri të fortë nacionalist. Taktikat e tij djallëzore në Mesdheun Lindor, do të vazhdojnë të jenë të formës “liro-shtërngo”, për sa kohë që Erdogani mendon se duhet të jetë kështu, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 3 nëntor 2020. Dhe ky është realiteti me të cilin po përballet BE-ja.

Artikulli i mëparshëmPesë mitet (gënjeshtrat) rreth Covid-19 dhe maskave
Artikulli i radhës“Covid nuk është as shaka dhe as lojë luftash”/ Neurokirurgu shqiptar apel të fortë qytetarëve