Ta mbajmë apo jo maskën? Ky është debati që vlon në “arenën” e rrjeteve sociale, sidomos në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë një nga terrenet me pjellore për teoricienët e komploteve që ndër të tjera, pretendojnë se mbajtja e maskës në fytyrë, mund të jetë e dëmshme për shëndetin.
Nëse është e vërtetë që për shembull Italia, sipas një sondazhi në muajin prill, renditej e treta për sa i përket numrit të njerëzve që mbajnë maska (pas Vietnamit dhe Kinës), është ende e rëndësishme të rifreskohej kujtesa e të gjithëve, dhe të demaskohen disa nga mitet më të zakonshme. Në fakt, maskat janë aktualisht një nga mjetet më efektive për të na mbrojtur nga Covid-19 dhe koronavirusi i tij, SARS-CoV-2.
Nuk është e vërtetë që ato shkaktojnë mungesë të oksigjenit
Mbajtja e maskës kirurgjikale, nuk shkakton helmim nga dioksidi i karbonit, CO2, dhe as mungesë oksigjeni. Mjaftoni të mendoni për një moment stafet mjekësore, që për dekada mbajnë maska për disa orë në ditë, pa vuajtur nga asnjë efekt anësor.
Madje mjeku irlandez, Maitiu O’Tuatail, postoi një video në Twitter duke treguar se nivelet e oksigjenit në gjak mbeten në nivelin 99 për qind. Ai vuri në fytyre jo një, por 6 maska në të njëjtën kohë. Ndërkohë, ajo që këshillon Organizata Botërore e Shëndetësisë, është të mos e mbani maskën kur merreni me sport:djersa mund ta lagë atë më shpejt, duke e zvogëluar kështu aftësinë e personit për të marrë frymë normalisht, teksa favorizon përhapjen e mikroorganizmave.
Nuk është e vërtetë që është e padobishme nëse nuk je i infektuar
Një studim i kryer në Padova, zbuloi se 40 për qind e të infektuarve me Covid-19 ishin asimptomatikë. Një hulumtim tjetër, sugjeron se më shumë se gjysma e rasteve shkaktohen nga individë asimptomatikë dhe presimptomatikë.
Kjo do të thotë që edhe nëse ndihemi mirë, ne mund të jemi të infektuar, dhe ngjitës për të tjerët. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë të mbajnë maskë, pikërisht pasi dikush mund të infektohet në mënyrë të pavetëdijshme.
Egoistë dhe altruistë
Maska kirurgjikale në veçanti, nuk mbron dhe aq shumë atë që e mban por të tjerët, pasi
ajo parandalon ose zvogëlon ndjeshëm shpërndarjen e spërklave nga frymëmarrja, duke bllokuar virusin që nëse është i pranishëm, bartet pikërisht nga spërklat. Koncepti është i thjeshtë:Unë mbaj maskë për të mbrojtur ty, ti e mban për të më mbrojtur mua. Dhe kjo vlen sidomos në vendet ku nuk mund të garantohet distancimi i duhur social.
Me të sëmurët kronikë është më e vështirë
Është e vërtetë:ata që vuajnë nga sëmundje kronike të frymëmarrjes si astma dhe bronkopatia, e kanë më të vështirë të marrin frymë me maskë. Por nuk është e vërtetë që maska mund t’ua rëndojë sëmundjen! Përkundrazi, mbajtja e saj dhe kërkesa që edhe të tjerët ta mbajnë është një garanci:ata që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes, duhet të jenë të parët që të kërkojnë respektimin e kësaj mase të thjeshtë mbrojtëse.
Nuk është e vërtetë, që maska ju bën absolutisht të paprekshëm
Ky është edhe një paradoks i vogël:në mesin e atyre që mbajnë maskë, ka njerëz që pikërisht për shkak se e kanë mjetin mbrojtës në fytyrë, shkelin rregullat e tjera të sigurisë. Mbajtja e një maskë nuk është e mjaftueshme:OBSH po e përsëris këtë gjë që nga fillimi i pandemisë, kur theksoi se përdorimi i maskës mund të “krijojë një ndjenjë të rremë të sigurisë, dhe të nxisë lënien pas dore të masa të tjera mbrojtëse”. Distancimi social dhe higjena personale, janë po aq thelbësore, dhe maska nuk duhet të na krijojë iluzionin se jemi gjithmonë të mbrojtur.