Polakët, bjellorusët dhe ukrainasit janë turistët e vetëm që po shijojnë diellin dhe bregdetin shqiptar këtë vit, por edhe shpresa më e madhe e hoteleve me standarde të larta për të shpëtuar çfarë të munden nga ky sezon veror.
Vitin e kaluar në këtë kohë, në hotelet shqiptare kishte edhe nordikë, çekë, izraelitë, rusë, gjermanë etj. Por, pjesa më e madhe e tyre i kanë anuluar pushimet për këtë vit, si rrjedhojë e kufizimeve që kanë ndodhur si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19.
Të dhënat zyrtare të Tirana International Airport (TIA) bënë të ditur për Monitor se nga 1 janari deri në 15 gusht, kanë udhëtuar (vajtje-ardhje), rreth 47.8 mijë pasagjerë me charter turistik (përjashtuar Antalian).
Destinacionet janë si më poshtë : Gdansk, Kiev, Katowice, Minsk, Zaporozhe, Poznan, Varshavë, Poznan, Wroclaw.
Pra në total në Shqipëri kanë ardhur deri në 15 gusht rreth 24 mijë pushues të huaj nga Polonia, Bjellorusia, Ukraina. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Polonia, që ka mesatarisht 1-3 chartera në ditë me Shqipërinë.
Në krahasim me vitin e kaluar, tkurrja është shumë e lartë. Të dhëna të tjera zyrtare të TIA-s bënë të ditur se në periudhën janar-korrik të vitit të kaluar, kishin fluturuar me charter (vajtje-ardhje) rreth 150 mijë pasagjerë, ose rreth 75 mijë hyrje në vend, ku krahas Polonisë Bjellorusisë e Ukrainës kishte turistë edhe nga destinacione të tjera si Oslo, Stokholm, Tel Aviv, Moskë, Kopenhagen etj.
Këtë vit, rënia e fluturimeve me charter është të paktën 70%.
Vetëm në gusht të vitit të kaluar erdhën me chartera rreth 38 mijë turistë (shih graf ne fund për turistët me chartera në 2019-n).
Charterat e turistëve nga Polonia vijojnë
Burime nga TIA bëjnë të ditur se charterat me turistë nga Polonia vijojnë. Shteti polak ka ndaluar vetëm hyrjen e shtetasve shqiptarë në Poloni, për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 në vendin tonë. Ndryshe nga shtetet e tjera të BE-së, Polonia deri tani e kishte lejuar hyrjen e shtetasve shqiptarë, por me një vendim të papritur e anuloi të shtunën në mbrëmje.
Vetëm 2,200 shqiptarë kanë shkuar me pushime në Antalia
Që nga mesi i muajit korrik, kryhen katër fluturime me charter drejt Antalias, i vetmi destinacion jashtë vendit ku shqiptarët mund të pushojnë. Burime nga TIA bënë të ditur se deri në 15 korrik kanë udhëtuar vajtje ardhje 4840 pasagjerë, ose rreth 2,400 turistë.
Një vit më parë, deri në fund të korrikut, në Antalia kishin shkuar rreth 14 mijë shqiptarë, ndërsa deri në fund të tetor, kur ishte dhe charteri i fundit, pushuan në Turqi rreth 31 mijë shqiptarë./monitor.al