Statistikat janë vendimtare në çdo fushë, por në futboll marrin më shumë vlerë nëse përfaqësohen nga golat. Falë katër të shënuarve të hënën mbrëma, Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez janë dyshja sulmuese më produktive në Europë. Sulmuesit e Interit kanë shënuar gjatë sezonit 54 gola dhe falë kësaj shifre kanë zbritur Suarezin dhe Mesin nga froni, të cilin e mbanin me 52 gola së bashku.
Teksa dyshja e Barcelonës mundet vetëm të asistojë shoun e zikaltërve, belgu dhe argjentinasi kanë shansin të rrisin numrin e topave të dërguar në rrjetë. Në këtë sezon Lukaku ka realizuar 33 herë në të gjitha kompeticionet që ka luajtur me ekipin e Antonio Kontes, ndërsa “El Toro” qëndron në kuotën e 21 golave. Mosha dhe koha është e gjitha në favor të bomberave të Interit, të cilët mund të ofrojnë ndryshimin breznor që për dyshet e sulmit ndodh një herë çdo 4-5 vite.
DUET NË KOHË TRIOSH
Martinezit dhe Lukakut, nderin e madh ia ka bërë Antonio Konte, i cili ka zgjedhur të luajë me dy sulmues në një epokë kur të gjithë luajnë me tre lojtarë në fazën ofensive. 4- 3-3, 3-4-3 dhe 4-2-3-1 janë skemat e momentit dhe për të verifikuar këtë, mjafton të thuhet se në tetë më të mirat e Champions-it, vetëm Lioni luan me dy sulmues të deklaruar. Rastësia do që francezët të manovrojnë me të njëjtin 3-5-2 mbi të cilin Interi po ndërton sukseset e veta. Çdo gjë tjetër është diferencë, pasi “Lu-La” nuk ka asgjë të përbashkët me Depain e këdo tjetër që trajneri i vendos në krah mes Toko Ekambit apo Dembelesë.
GJIGANTI DHE SHKURTABIQI
Dyshja e Interit është mitologjike. Elefanti dhe flutura, ai që merr gjithçka para dhe ai që ka pickime vrastare. “LuLa”, ka edhe një anomali të pazakontë, sepse pavarësisht 191 centimetrave, Lukaku nuk shquhet për lojën në ajër. Krejt e kundërta me Lautaron që 174 centimetrat e tij e bëjnë të vlejnë edhe mes kolosëve, siç bëri të hënën mbrëma.
Shkëputja dhe elasticiteti i argjentinasit ndihmojnë Interin që me 25 gola të jetë ekipi europian, i cili realizon më tepër me kokë (24 gola Frankfurti, 23 Liverpuli). Anomalia tjetër ka të bëjë me faktin se shpesh është “Gjiganti” që i krijon hapësira “Shkurtabiqit”. Këto karakteristika janë elementi bazë i një mekanizmi të pazakontë që çorodit çdo prapavijë dhe që orientoi ekipin drejt finales europiane që mungonte prej një dekade.
KËMBËNGULJA PËR LUKAKUN
Një trajner i madh dallohet për nga mënyra se në çfarë kushtesh i vendos lojtarët e tij, veçanërisht sulmuesit. Konte për Lukakun zgjodhi një rrugë të ndërmjetme. Fillimisht provoi Lautaron si pykë, e më pas, me njohjen e ekipit, vendosi të këmbëngulte për Lukakun, aq sa Marota ra dakord ta blinte për 65 milionë euro të cilave mund t’u shtohen edhe dhjetë të tjera në formë bonusi.
Trajneri kishte një ide dhe e ndoqi deri në fund duke vendosur Lukakun në kushtet e duhura e të rrethuar nga shokët e duhur. 33 gola nuk janë rastësorë dhe kurrë nuk do të jenë të tillë. Të njëjtën mënyrë ambientimi, Konte po e përdor edhe me Eriksenin, pasi e verifikoi si të suksesshme edhe me Aleksis Sançezin. Tashmë Konte mund t’u besojë të gjithëve, ndërkohë që në Torino janë duke luftuar me pendesën. Kushedi çfarë do të kishte ndodhur me Lukakun përkrah Kristiano Ronaldos dhe me Dibalën që do i ishte dashur të merrte avionin për në Mançester.
SIRENAT NGA BARCELONA
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se dyshja e Interit nuk është se ka qenë gjithmonë kaq efikase. Përpara se të niste hovin europian, Lukaku shpesh dështonte në ndeshjet e mëdha, ku veçojmë ato kundër Juves, ku ishte inekzistent. Lautaro gjithashtu pati problemet e tij. Sezonin e nisi fuqishëm, por më pas edhe shikimi i tij në zonë nisi të zbehej. Në një moment të caktuar dukej sikur shikonte vetëm në drejtim të Barcelonës ku e priste Leo Mesi. Mendimet e “Demit” ishin gjetiu dhe Interi vuajti pasojat. Kur nga Katalunja nuk vinin më sinjale, Lautaro u fut në binarë dhe të hënën mbrëma ofroi një shou personal që mund të ndihmojë të dalë si fitues nga fusha edhe të premten kundër Sevijes.
KOHA E MBETUR
Lukaku ka dhjetë vjet që luan në nivele të larta, e megjithatë është vetëm 27 vjeç dhe përveçse ka fituar shumë, edhe ka humbur siç i ndodhi në Botëror. Kolegu i sulmit do të mbushë 23 të shtunën, por në kombëtaren e Argjentinës, për shembull, ka shënuar 9 gola kundrejt dy të Dibalës. Kjo do të thotë se dyshja ka ende shumë kohë përpara vetes e prandaj nuk duhet të çuditemi nëse pikërisht ata do të jenë frymëzim për rikthimin e skemave me dy sulmues, siç ndodhte në vitet ’70 e deri në ato ’90./panoramasport