Turizmi, beteja e parë e humbur në luftën me koronavirusin

0

E parë sot, nga “normaliteti i ri” premtimet e Blendi Klosit, se do të sillte në Shqipëri 10 milion turistë duken si përralla nga e kaluara. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas pandemisë. Shifrat që rrumbullakosi ministri patën të njëjtin fat si çdo parashikim i mundshëm, para se në skenë të hipte koronavirusi.

Covid-19 zhbëri pritshmëritë dhe zhvlerësoi parapërgatitjet më të rëndomta, ndaj nuk kishte si ta përjashtonte as turizmin, që në thelb ka biznesin e kënaqësisë dhe të komoditetit të pushimeve, aq shumë të sulmuara kohët e fundit.

Por një anketë e INSTAT për punën në hotelet, resortet dhe strukturat e tjera akomoduese ka lëshuar një alarm që nuk duhet të kalojë në heshtje. Të dhënat e INSTAT treguan se në tre muajt e dytë të vitit, pra në Prill, Maj dhe Qershor, numri i vizitorëve në këto struktura ra me thuajse 76% krahasuar me një vit më parë.

Janë tregues i dy muajve të karantinës (Prill Maj) dhe Qershorin, muajin kur ndodhi hapja nga masat ekstreme kundër covid.

Në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit thuhet se ky sektor kontribuoi me 1.12 bilion dollarë në ekonomi, por po të llogariten efektet indirekte, kontributi mendohet të jetë tre herë më i lartë (3.47 bilion dollare), që ndryshe përbën 26.2% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.

Goditja që mori turizmi këto 3 muaj mund të jetë parathënia e pasojave ekonomike për të gjithë vendin për muajt në vazhdim.

Dilema mes nxitjes së turizmit dhe frikës nga koronavirusi

Ashtu si thuajse çdo shoqëri në botë, edhe e jona në fillim të sezonit turistik u gjend e papërgatitur, në dilemën e madhe mes masave bllokuese të parandalimit të Covid dhe qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave për të amortizuar goditjen ekonomike.

Në njërën anë frika nga virusi, që mbushi spitalet me të sëmurë. Në anën tjetër frika se ekonomia jonë e sëmurë mund të binte në gjunjë.

Gjetja e një ekuilibri ishte një mision i vështirë, thuajse i pamundur dhe shenjat janë se ishte një dështim, siç paralajmërojnë shifrat e INSTAT.

Pafuqishmëria e Klosit për turizmin në pandemi

Në nisje të sezonit turistik, Ministri i Turizmit tentoi të shesë për mediat një shfaqje me një grup bjellorusesh që kishin ardhur si turiste në vendin tonë.

Mesazhi për mirëseardhjen e të huajve nuk zgjati shumë. Jo vetëm për faktin se nuk ka pushues të huaj, por u duk se Klosi u bind shpejt se absurdi nuk është rryma e më e përshtatshme për teatrin e propagandës, ndaj dhe e la në mes shfaqjen me pritjen e të huajve në kohë pandemie.

Europa është burimi kryesor i turistëve që vizitojnë Shqipërinë duke zënë një volum prej rreth 92.4% të të gjithë turistëve. Shqipëria u përfshi në listën e vendeve nga ku në kthim karantina ishte e domosdoshme. Për këtë arsye kufijtë mund të konsiderohen të mbyllur për turistët e huaj, që janë fare të paktë këtë vit.

Për fat, janë ende pushuesit nga Kosova, që kanë mbetur i vetmi burim për të karikuar ekonominë e turizmit. Duke nuhatur këtë, Klosi udhëtoi drejt Prishtinës në fillim të qershorit bashkë me disa kryebashkiakë të qyteteve bregdetare, për të shpërndarë mesazhin se sezoni turistik do t’i mirëpresë turistët edhe këtë vit.

Por koha tregoi se trendi i mesazheve nga autoritetet, ishte krejt i kundërt. Një zë i vetëm, e kishte të pamundur të dëgjohej dhe në vend të tij, këtë verë u dëgjuan vetëm ankesat për festat, për muzikën, për papërgjegjshmërinë dhe kërcënimet për gjoba dhe mbyllje lokalesh. Lëvizjet për ta mbrojtur biznesin në bregdet qenë modeste nga ana e Ministrit të atij që ka mbetur nga Turizmi.

Masat kundër covid, si masa kundër bizneseve të turizmit

Paniku nga koronavirusi dhe gjendja alarmante e luftës ku u përfshi e gjithë qeveria krijoi një atmosferë aspak favorizuese për bizneset e turizmit, që u vunë nën akuzë për përhapjen e koronavirusit.

Ish gjenerali, tashmë Ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj doli vetë në krye të një skuadre policësh për të inspektuar lokalet, që mund të shkelnin rregullat e pandemisë gjatë natës së 23 qershorit. Mesazhi i Lleshajt ishte për kufizimin e lirive kudo në ambjente publike.

“Është fort e qartë që ne jemi përballë detyrës për të kufizuar, përpara zgjedhjes për të kufizuar shumë liri tonat. Lirinë e lëvizjes, lirinë e takimit, lirinë e grumbullimit e shumë liri të tjera, të cilat jo këtu, por në të gjithë botën po kufizohen në emër të nevojës për të mbrojtur jetën njerëzore, e cila prevalon në këtë situatë të pazakontë.
Forcat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet tjera shtetërore do ta vazhdojnë me intensitet të lartë angazhimin për të siguruar zbatimin e masave ligjore të ndërmarra tashmë. Lokalet mbeten një burim i rëndësishëm risku dhe kërkesa për të evituar grumbullimet e mëdha mbetet aktuale. Policia është e angazhuar për ta zbatuar me rigorozitet këtë kërkesë. Po ashtu kërkesa të ngjashme janë për pishinat, për plazhet, për vendet tjera të grumbullimit. Duhet të shmangim me çdo kusht përhapjen e virusit”

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bashkë me mjekët dhe specialistët e shëndetit thërrasin në kor kundër ambjenteve të pushimit dhe pushuesve, duke fajësuar tërthorazi pushuesit për dështimin e kuftës kundër koronavirusit. Faji kryesor sipas tyre ishin të rinjtë dhe festat nëpër plazhe, si burim infeksioni.

“Mendoni pak: A është vërtet një sakrificë kaq e madhe, të heqësh dorë nga festat e mbipopulluara, nga vendgrumbullimet në plazhe dhe bare, pa distancim fizik dhe masa higjene? Vende që më pas shndërrohen në vatra, ku virusi përhapet me shpejtësi marramendëse? A nuk ia vlen që edhe për ca kohë, të përshtatemi të gjithë bashkë me një normaliteti të ri, ku kryefjala është kujdesi, higjiena, distancimi?” ishin pyetjet që ngrinte ministrja duke iu drejtuar të rinjve që pushojnë ne bregdet.

Thirrjet e zv.kryeministrit, Erjon Braçe nga rrjetet sociale ishin akuza direkte për të rinjtë, jo vetëm se festonin në pishina të grumbulluar duke mos respektuar rregullat e covid. Dhe mesazhi i tij ishte i shoqëruar me pamje dhe video të pishinave dhe restoranteve me muzikë në jug të vendit.“Urdhero, shihi keto video te se shtunes mbrema dhe te dieles, vetem pak dite me pare, ne JALE, PALASE, LEKURS!Perse nuk u flet ketyre? Cfare tu bej spitali ketyre e prinderve te ketyre? Ta bej qeveria? Po patjeter, por sa nderhyn qeveria aty ti e quan cenim te lirise kushtetuese, sa zbaton qeveria masat ligjore aty ti therret per masa ekstreme te papershtatshme per realitetin ekonomik! Shihi pak shishet e shampanjes qe nuk pihen por sperkasin ajrin, njeri tjetrin e pastaj pishinen-si realitet ekonomik!” shkruante Brace në profilin e tij, duke akuzuar të rinjtë edhe se derdhnin shampanjën në ajër dhe se nuk e pinin atë.

Histeria kundër jetës së pushimeve dhe momenteve të bukura në plazh ishte trendi qeveritar këtë verë, ndërkohë që shifrat e INSTAT paralajmërojnë dështimin e madh me turizmin. Në këtë pikë, ministrit përkatës nuk i mbetet shumë për të bërë. Dikur, kur ishte në opozitë i shkoi mendja të mos e rruajë mjekrën si formë proteste kundër qeverisë. Ndoshta ideja mund t’i vlejë sërish. Por në këtë situatë, vështirë se do ta dëgjojë njeri.©Lapsi.al

Artikulli i mëparshëmDasmë në kohë pandemie, por jo vetëm kaq. Shikoni efektivët e Policisë duke kërcyer me çiftin (VIDEO)
Artikulli i radhës“The Economist”: Shifrat e frikshme, deri 2050 Shqipëria do mpaket me 26%