Rusia e Putinit nuk ka më ndërmend ta mbështesë regjimin e Lukashenkos. Ama nuk mund t’ia lejojë vetes që Bjellorusia të afrohet shumë me Perëndimin dhe me Europën.
Nga Dmitrij Trenin*
Ajo që po ndodh në Bjellorusi ishte tashmë e parashikuar në vija të trasha prej muajsh. Përpara zgjedhjeve, Presidenti Aleksandr Lukashenko do të eliminonte çdo sfidant serioz, duke lënë që të merrnin pjesë vetëm kandidatë të cilët mund t’i mundëte pa problem; vota do të manipulohej; shpallja e fitores së Lukashenkos do të shkaktonte protesta; qeveria do t’i shtypte me forcë, për t‘u mbrojtur më pas nga kritikat duke folur për ndërhyrje të subjekteve të huaja në punët e Bjellorusisë. Në këtë mënyrë, Presidenti do ta ruante pushtetin. Me fjalë të tjera, një përsëritje e asaj që kishte ndodhur pas presidencialeve të 2010. Megjithatë, kundër çdo lloj parashikimi, elementë të ndryshëm e kanë ndryshuar këtë skenar.
I pari ka qenë e ashtuquajtura “aferë Wagner”, një operacion i çuditshëm në të cilin 11 ditë përpara votimeve KGB-ja bjelloruse ka arreszuar 33 të supozuar mercenarë rusë të kompanisë ushtarake private Wagner, duke i akuzuar se kishin ardhur në Minsk për të mbjellë kaos me rastin e zgjedhjeve. Ngjarja i ka mundësuar Lukashenkos që ta ashpërsonte retorikën e tij antiruse. I irrituar, Kremlini ka konsideruar se bëhej fjalë për një manovër të Presidentit bjellorus për të siguruar mbështetjen e perëndimorëve ndaj rizgjedhjes së tij nëpërmjet një fushate antiruse dhe të bazuar mbi mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Në këtë pikë Moska e ka humbur besimin e pakët të mbetur ndaj Lukashenkos.
Elementi i dytë i paparashikuar ka qenë vendosmëria e manifestuesve, të cilët në Minsk dhe në të gjithë Bjellorusinë kanë vazhduar të protestojnë pavarësisht represionit të policisë, shpesh jashtëzakonisht e dhunshme. Brutaliteti, që sipas Lukashenkos do të duhej të qetësonte protestat si në të kaluarën, në fakt e ka forcuar indinjatën dhe zemërimin.
Ky zhvillim ka përcaktuar rezultatin e tretë të papritur: protestat, zakonisht të drejtuara nga të rinjtë europeistë të qyteteve, janë zgjeruar deri sa kanë përfshirë më të rriturit dhe deri shumë prej atyre që kishin votuar për Lukashenkon.
Javë ose muaj
Situata ndryshon me shpejtësi dhe do të ketë surpriza të tjera, por megjithatë është e mundur të nxirren konkluzione të tjera. I pari është se regjimi i Lukashenkos qartazi e ka humbur mbështetjen e vendit. Në anën praktike, Presidenti mund t’ia arrijë ta ruajë pushtetin pasi klasa drejtuese, e përbërë nga burokratë të përzgjedhur personalisht prej tij me një rotacion të vazhdueshëm, duket ende e qëndrueshme dhe kohezive.
Veç kësaj, besnikëria e policisë dhe e shërbimeve të sigurisë është konfirmuar nga përfshirja personale e niveleve drejtuese të forcave të rendit në shtypjen e protestave. Me fjalë të tjera, në Bjellorusi nuk do të ketë një revolucion me ngjyra.
Megjithatë Lukashenko, që deri të kish mundur të fitonte qysh në raundin e parë në rast se do të lejonte një zhvillim të rregullt të votimeve, nuk e ka më mbështetjen e popullsisë. Edhe pse numërimi zyrtar i ka dhënë Presidentit 80% të konsensusit, qytetarët e thjeshtë nuk i kanë vënë kurrgfarë rezistence manifestimeve. Kjo do të thotë se vullneti i bjellorusëve nuk është shprehur në kutitë e votimit, por në ditët në vazhdim.
Lukashenko, autokrati që duket se e ka ndërtuar i vetëm shtetitn bjellorus, do të kishte mundur të hynte në histori si babai i Bjellorusisë moderne sikur vetëm të kishte zgjedhur (edhe në fillim të këtij viti) të dorëhiqej dhe ta pilotonte suksesionin e tij. Kurse tani duket si i dënuar për një dalje të turpshme nga skena. Mund të duhen javë ose muaj, por fundi i tij është i shkruar. Legjitimiteti politik i tij është zeruar. Ky është rezultati më i rëndësishëm i ngjarjeve të fundit dhe është një rezultat që sjell aktorë të tjerë në skenë përkrah popullit bjellorus. Në këtë mënyrë fillon kështu një akt i ri i dramës.
Zgjidhja më logjike
Pozicioni strategjik i Bjellorusisë që ndodhet në aksin që ndan Bashkimin Europian nga Rusia, bën shumë të rëndësishëm, si për Moskën, ashtu edhe për Perëndimin, suksesionin e njeriut që e ka qeverisur vendin me grusht të hekurt për 26 vjet.
Kremlini nuk është i lidhur me zinxhirë pas Lukashenkos dhe gjithçka të bën të mendosh se nuk ka ndërmend ta mbështesë tani. Por njëkohësish Moska nuk mund t’i lejojë Bjellorusisë që të ndjekë rrugën e Ukrainës dhe të bëhet një tjetër bastion antirus i vendosur për t’u futur në NATO. Nga ana tjetër, nuk mund as të pranojë që rebelimi të mbyllet me një gjakderdhje. Atëhere, çfarë mund të bëjë Rusia?
Në thelb, opsionet janë katër. I pari është një ndërhyrje ushtarake. Kjo zgjidhje duhet shmangur me çdo kusht, pasi do të kishte pasoja katastrofike.
Opsioni i dytë është të mos bëhet asgjë dhe Lukashenko të lejohet të bjerë, me shpresën se pasuesi i tij mban parasysh lidhjet e ngushta – edhe ekonomike – midis Rusisë dhe Bjellorusisë. Ama është një hipotezë tejet e rrezikshme. Një revoltë mund të transformohet në një kasaphanë dhe, për pasojë, ta detyrojë Moskën që t’i kthehet opsionit të parë, atij të ndërhyrjes ushtarake.
Opsioni i tretë është të përfitohet nga raporti shumë i keq midis Lukashenkos dhe Perëndimit për të mbrojtur dhe mbështetur Presidenin bjellorus. Një zgjidhje kundërprodhuese, pasi do ta bënte Moskën bashkëpunëtore me një regjim tashmë në krizë dhe dë të ushqente urrejtjen e bjellorusëve ndaj Rusisë.
Opsioni i katërt është të kërkohet një menaxhohet një ndryshim regjimi në Minsk. Do të sjërbente për të lehtësuar tranzicionin politik bjellorus, duke e bindur Lukashenkon se, duke pasur parasysh rrethanat, ekzili është e keqja më e vogël. Në këtë rast do të mjaftonte të përfshiheshin figura të ndryshme publike të shoqërisë bjelloruse për të krijuar një strukturë qeverie të përkohshme në gjendje të organizojë zgjedhjet e ardhshme. Veç kësaj, do të ishte e nevojshme të konsultoheshin bjellorusët për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe, përfshi natyrën e Bashkimit Rusi – Bjellorusi dhe elementët e ndryshëm të tij, midis të cilave raportet ekonomike e të sigurisë midis dy vendeve. Konfrontimi duhet të jetë i pastër, për të riaformuar ose modifikuar impenjimet reciproke.
Për Rusinë ideja e menaxhimit të krizës bjelloruse në mënyrë që të ruhet një raport fqinjësie të mirë dhe një aleancë e besueshme mund të duket pak ambicioz, sidomos nëse krahasohet me projektin e shkrirjes midis dy vendeve. Por braktisja e iluzioneve, shpëtimi i jetëve njerëzore dhe kursimi i resurseve sigurisht që është më mirë sesa të lejohet një kushëri i afërt të shndërrohet në armik të përbetuar. Ajo që ka ndodhur në Ukrainë absolutisht nuk duhet të përsëritet.