Ogerta Manastirliu ka që në Prill që premton hapjen e dy spitaleve Covid 3 dhe Covid 4.
E pandërgjegjshme për atë që e priste, nisi me shpejtësi investimin me 100 shtretër për spitalin Covid 3 në ambientet e ish-kirurgjisë në QSUT dhe në qershor i kishte gati.
Bindi edhe Edi Ramën që gjithçka duhej bërë shpejt dhe të dy inauguruan investimin e realizuar me urgjencë. Kanë kaluar 5 muaj nga premtimi i parë për spitalet.
Ka pasur edhe të tjera, në fjalimin në parlament, nga QSUT, nga spitali Covid 4 në autostradë. Të gjitha me intonacionin tipik të recitimit plot patos rilindas, por kaq. Deri tani, vetëm llafe.
Situata e pandemisë që nga nisja është përmbysur. Aq sa ishin të infektuar në një ditë prilli, janë të vdekur në një ditë gushti. Spitalet plot me të shtruar, të infektuarit rekord, numri i të vdekurve drejt shifrës së frikshme 300. Dyert e spitalet Covid 3 dhe Covid 4 sërish të mbyllura.
Këtë të hënë, si 5 muaj më parë, Manastirliu e ceku sërish hapjen e strukturave të reja spitalore. Një gjysmë-premtimi dhënë me gjysmë zëri.
Ishte me 48 infermierë të rinj që iu bashkuan ekipit të mjekëve dhe infermierëve për të sëmurët me covid, kur u shpreh: ‘Jam e kënaqur që kemi mundësinë që jo vetëm të punojmë së bashku me ekipin e ri, por edhe të kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore’.
Përse nuk hapen spitalet e reja
Ogerta Manastirliu mban të gjithë përgjegjësinë e gënjeshtrave të saj pa turp, por dështimi për ngritjen e dy spitaleve të reja nuk është ekskluzivitet i saj. Qeveria arriti të sigurojë kapacitetet materiale, por në Shqipëri mungojnë kapacitetet njerëzore. Për tre dekada, mjekët dhe infermierët e kanë braktisur vendin, për shkak se u braktisën nga politika të mbrapshta, nga njëra qeveri në tjetrën.
Ndaj 48 infermierë të rinj në valën e pandemisë nuk janë shumë, por janë më mirë se asgjë dhe vlejnë si shembull për të dalë në ekrane. Kjo është edhe arsyeja që kur grupi i infermierëve të rinj i bashkohen stafit që punon me orë të zgjatura, Ministrja e Shëndetësisë flet për hapjen e spitaleve të reja.
Me shpresën se do të arrijë të plotësojë mjekët dhe infermierët e duhur për të mbuluar të shtruarit në dy strukturat e reja Covid 3 dhe 4. Sepse të sëmurët vazhdojnë shtohen dhe pritet të jenë më shumë në vjeshtë dhe më tej në dimër.
Shqiperia, vendi me më pak mjekë në gjithë Europën
Pandemia e Covid-19 ka sjellë në vëmendje aftësitë e sistemeve shëndetësore në mbarë globin për të përballuar ngarkesën që mund të shkaktohet nga virusi.
Shqipëria, ka vetëm 12 mjekë për 10 mijë banorë, shifër që është më e ulëta në Europë, sipas të dhënave të OBSH-së. Maqedonia e Veriut ka 29 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia (31), Mali i Zi (27), Bosnja (22). Rekordin në Europë e mban Greqia, me 55 mjekë për 10 mijë banorë. Italia e ka këtë tregues 40, Gjermania 42.5, Suedia (e vetmja që nuk e mbylli ekonominë nga koronavirues) e ka rreth 40, Austria 51.7.
Më pak mjekë se Shqipëria kanë vetëm vendet afrikane (disa kanë edhe më pak se 1 mjek për 10 mijë banorë, psh në Kongo me 0.7 mjekë). Shqipëria ia kalon dhe shteteve të tilla si Indisë (8.6), Pakistanit (9.8), Afganistanit (2.8).
Nga viti 2010 në vitin 2017 janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës. Gjithsej numri i mjekëve shqiptarë në emigrim raportohet të jetë 1029, por ky numër realisht është edhe më i lartë, pasi nga 2017 në 2020 emigrimi i trupës mjekësore ka vijuar me ritme të larta.
Socialistët nuk e pranojnë këtë fenomen
Ata që kanë si moto ‘ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk kemi parë’, nuk kanë si ta pronojnë dështimin edhe kur ky nuk është një opinon. Shifrat tregojnë realitetin, por për drejtuesit e qeverisë dihet që realiteti nuk është ai i shifrave, por i ngjyrave.
Në një takim me mjekë në shkurt të vitit të kaluar, Manastirliu këmbënguli në propagandën se mjekët nuk largohen, ose se lëvizja e tyre është një fenomen që po ndodh në të gjithë botën.
‘Të gjithë vendet janë të prekura nga fenomeni i lëvizjes së lirë të mjekëve, edhe vendi ynë është i prekur nga ky fenomen. Por e vërteta është që profesionistët e shëndetit vijojnë të punësohen në sistemin shëndetësor. Dhe po punësohen me meritë. Vetëm për muajin janar dhe shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore’, – tha Manastirliu në takimin me mjekët që dëgjonin në heshtje.
Njësoj mohues është edhe Edi Rama për këtë fenomen. Në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë më 20 shkurt të këtij viti, Rama deklaroi se në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh.
‘Në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. Ishte fatkeqësi e trashëguar nga ndalimi i pashpjegueshëm për 4 vite i specializimeve që krijoi një boshllëk të madh mes nevojës dhe mundësisë për të përmbushur nevojën. Vetëm gjatë 2018-2019 janë punësuar 400 mjekë të rinj, jo vetëm në moshë, por edhe të kthyer nga jashtë dhe 2200 infermierë. Shumëkush duke dëgjuar lajme, thotë nuk ka mjekë, nuk ka infermierë, ikën të gjithë’, deklaroi Rama, që rezulton të jetë kryeministri i vetëm në botë që inauguron spitale pa mjekë, dhe për pasojë edhe pa pacientë.
/Lapsi.al