Policia e Tiranës njofton se ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Crvena Zvezda (Beogradit), e vlefshme për kualifikimin për pjesmarrje në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja do zhvillohet më datë 25.08.2020, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
Ndeshja Tirana – Crvena Zvezda (Beogradit) do të zhvillohet pa tifozeri, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.
“Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të merren sërish një serë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.
Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë qytetarët e Tiranës se:
• Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjes.
• Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.
Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe levizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.