Më 2 dhjetor 1945, Shqipëria e dominuar nga komunistët, hyri në zgjedhjet e para për të përcaktuar sistemin politik që do të qeveriste vendin. Është pikërisht kjo ditë, nga ku e ka origjinën edhe manipulimi i zgjedhjeve, një mallkim që e ndjek Shqipërinë edhe sot.
Votimet, u vendos të bëheshin të fshehta. Ndërsa votat, që ishin kokrra me ngjyra të veçanta, hidheshin në dy kuti të ndryshme. Njëra kuti ishte e komunistëve, ndërsa kutia tjetër ishte e opozitarëve ose siç quhej ndryshe, kutia pa kandidat.
Sipas dëshmive, me kutitë u bë loja e komunistëve me votat dhe me presionin psikologjik ndaj votuesve, të deklaruar e të cilësuar “kundërshtarë të regjimit komunist”. Kutia ku do të hidheshin votat (kokrrat) e opozitës, ishte bërë e tillë nga komunistët, që në fund të saj, kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” prej kokrrash, të shkaktonin tingull.
Ky tingull, sipas “provave” të bëra, dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë, për të zbuluar se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste. /27.al