Agjencia federale që merret me vizat amerikane ka njoftuar se do të shmangë lejen e detyruar pa pagesë të 70% të personelit javën e ardhshme por paralajmëroi aplikantët për viza se do t’u duhet të presin për një kohë të gjatë.
“Shmangia e këtyre lejeve pa pagesë vjen me një kosto shumë të lartë që do të zgjasë kohën e pritjes për të gjithë dhe pa garanci se në të ardhmen do të mund t’i shmangim këto leje në të ardhmen”, tha Joseph Edlow, nëndrejtor për politika në Agjencinë për Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit (USCIS)
“Kthimi tek procedura normale operacionale kërkon ndërhyrje të Kongresit për të financuar agjencinë deri në fund të vitit fiscal 2021”, shtoi ai.
Megjithëse agjencia tha se parashikon që të vazhdojë të funksionojë për pjesën e mbetur të këtij viti fiskal, që mbyllet më 30 shtator, shkurtime “të thella” shpenzimesh, përfshirë reduktimin e numrit të punonjësve me kontratë, do të ndikojnë tek të gjitha funksionet e saj. Mes të tjerash, USCIS menaxhon lejet e punës, kërkesat për azil, aplikimet për kartat e gjelbra dhe proesin e shtetësisë.
USCIS ndryshon nga shumica e agjencive të tjera, sepse merr fonde kryesisht nga pagesat për shërbimet që ofron. Pandemia e koronavirusit i ka shkurtuar këto të ardhura me 50 për qind sepse ka pasur më pak aplikime.
Kongresi e hodhi poshtë kërkesën e agjencisë për fonde emergjence në maj, duke thënë se USCIS ka gjithë fondet që i duhen për pjesën e mbetur të vitit fiskal.
Muajin e kaluar, agjencia njoftoi se do të rrisë pagesat për shërbimet e saj, duke filluar nga 2 tetori.