Kështu u përkthye në kohën e shqipërimeve entuziaste, titulli i filmit të famshëm francez “Heronjtë janë të lodhur”. Më pas kjo frazë hyri në përdorim të gjerë kryesisht për të shpotitur ata që lodheshin nga punët e jetës së përditshme.
Ky nuk është aspak rasti i bluzave të bardha të dy spitaleve COVID-1 dhe COVID-2, të cilët realisht janë “bërë telef” prej muajsh në shërbim të pacientëve të shtruar në këto spitale.
Të dhënat që dalin nga pavionet e tejmbushur flasin për mungesë ajri të kondicionuar në kushtet e verës së nxehtë mesdhetare dhe mungesë pajisjesh të domosdoshme (si CPAP dhe BiPAP të cilat janë duke i blerë familjarët). Përflitet edhe për mungesë medikamentesh dhe ushqimesh të përshtatshme, madje media raportoi edhe mungesë uji që zgjati disa ditë.
Në bazë të gjithë problemeve lidhur me menaxhimin e COVID dhe ngarkesat stërmunduese nuk janë ato mungesat e “zakonshme” me të cilat jemi mësuar tashmë me sistemin tonë shëndetësor, por planifikimi dhe menaxhimi katastrofik i COVID-19 në Shqipëri. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar në COVID-1 dhe COVID-2 nuk kanë nevojë për shtrim në një qendër terciare.
Në se do të ishin diagnostikuar herët dhe ndjekur sipas protokollëve tepër të thjeshtë dhe tashmë të njohur, këta pacientë ndoshta nuk do të kishin patur nevojë për trajtim spitalor.
Edhe sikur të kishin, pjesa dërrmuese e tyre mund të ishin trajtuar në spitalet rajonale, sërish me pajisje tepër të thjeshta dhe me protokollë po aq të thjeshtë sa edhe protokollët e trajtimin në shtëpi nga mjeku i familjes.
FAKTI QË ASNJË NGA KËTO HAPA NUK U NDËRMORR MEGJITHËSE KANË KALUAR TETË MUAJ NGA FILLIMI I PANDEMISË, ËSHTË THELBI I GJITHË SITUATËS QË SHOHIM SOT NË SPITALE.
MJEKËVE TË COVID-1 DHE COVID-2 NUK UA KA IMPONUAR HEROIZMIN SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE E COVID-19 NË SHQIPËRI, POR PAPAFTËSIA DHE MUNGESA E VIZIONIT TË MENAXHERËVE DHE DREJTUESVE TË MINISTRISË DHE KOMITETIT.
ATA NGJAJNË SI DY PIKA UJI ME HERONJTË E KOHËS SË KOMUNIZMIT TË CILËT LIHESHIN PA MJETE PUNE PËR TË PËRBALLUAR FATKEQËSITË NATYRORE TË KOHËS PËR T’U SHPALLUR HERONJ PAS VDEKJES.
NË KOHËN E SOTME, NUK KA NEVOJË PËR TË TILLË HERONJ DHE AS PËR SAKRIFICAT MBINJERËZORE TË KOLEGËVE TANË!
THJESHT DUHET PROFESIONALIZËM, VIZION DHE AFTËSI ORGANIZATIVE NORMALE NGA ATA QË KANË MARRË PËRSIPËR DREJTIMIN E SHËNDETËSISË.