TENSIONET: Greqia dhe Turqia, larg kompromisit lidhur me pretendimet në Mesdhe

0

Greqia ratifikoi të enjten një marrëveshje me Egjiptin për kufijtë detarë, disa orë pasi Turqia zgjati operacionin e një anijeje eksploruese në Mesdheun Lindor dhe njoftoi se do të zhvillonte manovra qitjeje në rajon muajin e ardhshëm.

Tensionet u shkallëzuan pasi Ankaraja dërgoi anijen e eksplorimit sizmik Oruç Reis në një zonë të diskutueshme pas paktit midis Athinës dhe Kajros.

Turqia ka thënë se pakti shkel shelfin e saj kontinental.

Marrëveshja mbivendoset gjithashtu me zonat detare për të cilat Turqia ra dakord me Libinë vitin e kaluar, diçka që u quajt e paligjshme nga Greqia.

Marrëveshja detare e 6 gushtit tashmë është ratifikuar nga parlamenti i Egjiptit dhe u miratua nga një shumicë deputetësh grekë të enjten mbrëma.

Po të enjten, marina turke publikoi një njoftim, të njohur si Navtex, ku thuhej se do të zhvillojë manovra qitjeje në Mesdheun lindor përballë brigjeve të Iskenderunit, në veri-lindje të Qipros në datat 1 dhe 2 shtator.

Ajo gjithashtu zgjati operacionet kërkimore të anijes Oruç Reis në jug-perëndim të Qipros, deri më 1 shtator.

Greqia thotë se njoftimet turke të këtij lloji janë të paligjshme. Mesdheu Lindor, i cili në pjesën më të madhe është i paeksploruar, mendohet të jetë i pasur me gaz natyror.

Anëtaret e NATO-s, Greqia dhe Turqia, janë përfshirë në një mosmarrëveshje mbi kontrollin e ujërave në Mesdheun lindor.

Dy vendet kanë mosmarrëveshje mbi të drejtat ndaj burimeve të mundshme energjetike në rajon, bazuar në pretendimet e secilit për zgjatimin e shelfit përkatës kontinental.

Ndërsa mosmarrëveshjet janë ashpërsuar, Franca tha të mërkurën se po u bashkohej manovrave ushtarake me Italinë, Greqinë dhe Qipron në Mesdheun lindor.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Hami Aksoy tha se dislokimi i avionëve ushtarakë francezë në Qipro shkel traktatet për kontrollin dhe administrimin e ishullit, pas pavarësisë së tij nga Britania në vitin 1960.

Zëdhënësi tha se qëndrimi i Francës në mënyrë të rrezikshme inkurajon Greqinë dhe Qipron për të shkallëzuar më tej tensionet në rajon.

Qiproja u nda në vitin 1974 pas ndërhyrjes turke, që u shkaktua nga një grusht shteti i frymëzuar nga Greqia. Turqia e njeh Qipron veriore të banuar nga popullsi turke si shtet më vete, i cili nuk njihet nga vendet e tjera.

Greqia ka në plan të shtyjë kufirin e ujërave të saj territoriale në Detin Jon deri në 12 milje detare nga brigjet e saj, nga gjashtë që është aktualisht.

Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm i Athinës në ujërat në lindje të Greqisë do të ishte shkak për luftë.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, tha se e drajta e Greqisë për të shtyrëkufirin e saj detar perëndimor buron nga Ligji i Detit dhe se ajo rezervon të drejtën ta bëjë këtë në zonat e tjera detare, kur ta vendosë.

“Tensionet nuk janë krijuar nga Greqia, e cila është e gatshme të ndihmojë për uljen e tyre,” tha zëdhënësi grek.

GREQIA DHE TURQIA, PA SHENJA KOMPROMISI

Deklaratat e së enjtes pasojnë tentativat e një dite më parë për të qetësuar situatën, kur ministrat e jashtëm të dy vendeve propozuan negociata për të zgjidhur pretendimet territoriale mbi rajone të Mesdheut të pasura me burime natyrore.

Udhëheqësit e dy vendeve këmbëngulin në qëndrimet përkatëse, pa shenja kompromisi.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se Athina ka të drejtën të zgjerojë kufirin e ujërave territorial në bregdetin perëndimor përballë Italisë, nga 11 në 22 kilometra.

Kjo pjesë e Detit Jon nuk përfshihet në përplasjet me Turqinë për kontroll territorial, por zoti Mitsotakis tha se Greqia do të heqë dorë nga politika e jashtme “pasive” që ka ndjekur prej vitesh. Turqia do ta konsideronte një zgjerim të ngjashëm në Detin Egje, që ndodhet mes këtyre dy vendeve, si një akt të hapur armiqësor.

“Të gjithë duhet ta shohin se Turqia nuk është një vend që mund t’ia vësh në provë durimin, vendosmërinë, kapacitetet apo guximin. Nëse themi se do të bëjmë diçka, do ta bëjmë dhe e pranojmë koston që ka,” tha të mërkurën Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. “Kushdo që do, le të na presë rrugën, nëse është i gatshëm të ndeshet me pasoja. Nëse nuk doni pasojat, hapni rrugën dhe ne do të vazhdojmë punën tonë”.

TRUMP, THIRRJE PËR DIALOG

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump kishte folur me telefon me zotin Mitsotakis të mërkurën për të diskutuar shqetësimet mes Greqisë dhe Turqisë.

“Presidenti Trump ritheksoi se Greqia dhe Turqia duhet të angazhohen në dialog, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur mospajtimet,” thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

TRYSNIA E BASHKIMIT EVROPIAN

Bashkimi Evropian, nga ana e tij po përpiqet të ushtrojë presion për t’i bindur palët të ulin tensionet. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten për një takim dyditësh në përpjekje të bindin dy vendet fqinje të ulin tensionet në Mesdhe.

Në bisedime jo-zyrtare në Berlin, ministrat do të debatojnë një numër sanksionesh dhe opsionesh të tjera politike që mund të bindin Turqinë, e cila ushqen shpresa për antarësim në BE në të ardhmen, të tërhiqet nga këmbëngulja e saj për të kërkuar për naftë e gaz në territoret e diskutueshme në Mesdheun lindor.

Gjermania, e cila ka presidencën e radhës të BE-së, është përpjekur të ndërmjetësojë mes Athinës dhe Ankarasë.

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas vizitoi dy kryeqytetet të martën, duke paralajmëruar se “çdo shkëndijë, sado e vogël, mund të sjellë një katastrofë”. Por diplomacia e tij nuk arriti sukses të dukshëm.

Në një bisedë me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell lidhur me mbarëvajtjen e bisedimeve, Ministrja gjermane e Mbrojtjes tha, pa e ditur se kishte përpara një mikrofon të ndezur, “E vështirë. Disi më mirë me palën greke, por shumë e vështirë me palën turke”.

Zoti Borrell u përgjigj se “turqit janë shumë të acaruar” dhe se “janë shprehur se nuk u zënë besë grekëve”.

Bashkimi Evropian këmbëngul se të gjitha opsionet janë të hapura për diskutim në takimin e drejtuar nga zoti Borrell. Këtu përfshihen sanksione për të bindur Turqinë të ndërrojë kurs, por edhe premtime joshëse nëse ka dakordësim për kompromis. Një nga vendet ka ngritur idenë e anulimit të statusit të Turqisë si vend kandidat.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel bënë thirrje për zgjidhjen e situatës përmes dialogut:

“Jemi të shqetësuar për situateën (në Mesdheun lindor) sepse konfrontimi përfshin dy partnerë të NATO-s. Gjermania ka punuar me ngulm për të ndihmuar për qetësimin e situatës dhe sot do të diskutojmë opsionet që kemi përpara,” tha zonja Merkel.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në Mesdheun lindor. Mirëpres përpjekjet për një zgjidhje konstruktive. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Greqinë dhe Turqinë. Mesazhi im në këtë situatë është ta zgjidhim në frymën e solidaritetit dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Dialogu dhe qetësimi i situatës janë në interes të të gjitha palëve,” tha zoti Stoltenberg.

Athina ka ngritur pretendimin se një anije turke për kërkime burimesh natyrore është në ujëra ku Greqia ka të drejta ekskluzive për të shfrytëzuar burimet nëntokësore.

Turqia këmbëngul që të ngushtohen ndjeshëm zonat ekonomike të ishujve grekë në Egje, pranë bregdetit turk.

Turqia akuzon Athinën se po përpiqet të gllabërojë padrejtësisht hapësira ujore në Mesdhe, të pasura me burime natyrore, ndërsa Greqia ka shprehur revoltim nga kërkimet turke në ujërat ku Qipro pretendon të drejta ekskluzive ekonomike.

Qiproja është e ndarë mes Qipros greke në jug dhe Qipros turke në veri, por vetëm Ankaraja e njeh Qipron turke.(VOA)

Artikulli i mëparshëmMbeti i bllokuar për dy ditë në ishullin grek, momenti kur turisti shpëtohet nga ekipi i shpëtimit (VIDEO)
Artikulli i radhësPompeo, duarbosh nga Lindja e Mesme: Askush s’i ndjek Emiratet