FT: Pse po shtohen lëvizjet ‘anti-vaksinë’ gjatë një pandemie?

0

Greer McVay këmbëngul se ajo nuk është aspak kundër vaksinës. Ajo është e azhurnuar me nivelin e saj të imunizimit dhe e kishte vaksinuar djalin e saj kur ishte fëmijë. Por ajo ka frikë se po nxitohet në mënyrë të rrezikshme për zhvillimin e një vaksine për koronavirus, pjesërisht për të përmirësuar imazhin e Donald Trump përpara zgjedhjeve presidenciale në nëntor, shkruan Financial Times.

“Kjo situatë është e ndryshme, për shkak të politikës që i është injektuar këtij procesi dhe shpejtësisë në të cilën po zhvillohen vaksinat,” thotë zonja McVay, një këshilltare për komunikim nga Kalifornia dhe një mbështetëse e Partisë Demokratike. “Sinqerisht, nuk i besoj këtij presidenti. Thjesht më bën të mendoj ‘ndalo’”.

Zonja McVay, 53 vjeç, është një nga amerikanët që janë “hezitues të vaksinave”, të cilët po vijnë gjithnjë e më shumë në rritje dhe asnjëherë nuk janë identifikuar më parë me lëvizjen anti-vaksinë, e cila tradicionalisht është dominuar nga republikanët liberalë dhe ata nga e majta që predikojnë përfitimet e mjekësisë alternative mbi atë farmaceutike. “Unë nuk hyj në asnjë kategori,” thotë ajo.

Më shumë, Zonja McVay ka frikë se zoti Trump do të ushtrojë presion mbi Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të Sh.B.A për të aprovuar shpejt një vaksinë para zgjedhjeve. Ajo citon si provë vendimin e FDA për të lejuar përdorimin e hidroksilklorinës – një ilaç të pamiratuar, por të mbështetur nga presidenti – për të trajtuar virusin, përpara se të kryente një kthesë-U, pasi disa studime treguan se ilaçi nuk u dha dobi pacientëve.
Ajo është gjithashtu mosbesuese ndaj Operacionit Warp Speed, një fond i financuar nga Federata që ka paguar miliarda dollarë për kompanitë e barnave – përfshirë 1.2 miliardë dollarë për AstraZeneca dhe 1.6 miliardë dollarë ndaj Novavax – për të prodhuar qindra miliona doza të vaksinës së tyre, pa prova të plota klinike përpara të dhënave përfundimtare. “Mënyra se si ata po përshpejtojnë procesin është duke bërë disa gjëra njëkohësisht,” thotë ajo. “Ata kanë filluar prodhimin para se të përfundojnë provat e plota.”

Zbulimi i një vaksine para zgjedhjeve mund të rrisë shanset e zotit Trump duke e lejuar atë të pretendojë se ka gjetur kurë kundër një sëmundjeje, që ka vrarë më shumë se 171,000 amerikanë. Por ekspertët e shëndetit publik kanë frikë se kjo mund të çojë në një forcim të ndjenjës kundër-vaksinë midis njerëzve si zonja McVay, përpara asaj që mund të jetë një nga programet më të mëdha të imunizimit masiv në historinë e vonshme të SHBA. Dy vaksina tashmë janë miratuar – një në Rusi dhe një e dytë në Kinë – ndërsa tetë janë në fazën e fundit të testimit klinik.

“Ndjenja kundër vaksinimit po bëhet masive,” thotë Heidi Larson, drejtoreshë e Projektit për Besimin ndaj Vaksinave në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër. “Shumë njerëz që nuk do ta kishit imagjinuar, tani po thonë se ndoshta lobi anti-vaksinë ka një kuptim.”

Harvey Fineberg, kryetari i një komiteti për koronavirusin, i ngritur nga Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë, thotë: “Unë jam i shqetësuar për njerëzit që i rezistojnë imunizimit për arsye iracionale bazuar në mosbesim gjenerik ndaj çdo gjëje që thotë presidenti.

“Sondazhet tregojnë se ndërsa ka vazhduar pandemia, qytetarët amerikanë janë bërë më pak të sigurt për sigurinë e një vaksine. Një sondazh nga YouGov në maj zbuloi se rreth 55 përqind e të rriturve në SHBA thanë se do të bënin një vaksinë Covid-19. Deri në fund të korrikut, kjo shifër kishte rënë në 41 përqind – shumë më poshtë se kufirit prej 60-70 përqind, që ekspertë të shëndetit publik mendojnë se do të nevojiten për të arritur “imunitetin e tufës”.

.Joe Biden, kundërshtari demokrat i Z. Trump, ka shfrytëzuar sondazhet si dëshmi se presidenti po ushqen skepticizëm ndaj vaksinave. “Nuk është turma e zakonshme kundër vaksinave – është përtej kësaj – sepse njerëzit po humbin besimin në atë që thotë presidenti,” tha ai muajin e kaluar.

Sidoqoftë, ekziston gjithashtu një kundërshtim i konsiderueshëm ndaj vaksinave në vendet e tjera me të ardhura të larta të cilat ka të ngjarë të jenë më skeptike në lidhje me sigurinë e imunizimeve, sipas një studimi të fundit nga Wellcome Trust, një organizatë bamirëse britanike. Në Francë, më pak se gjysma e njerëzve besojnë se vaksinat janë të sigurta, sipas një raporti. Në Ukrainë – vendi më skeptik në botë – shifra është vetëm 29 përqind. Skepticizmi për vaksinimin ndryshon nga një vend në tjetrin.

Garancia për siguri

Njerëzit, që shqetësohen për vaksinat ndahen gjerësisht në dy grupe: ata që janë plotësisht kundër tyre dhe një numër shumë më i madh që nuk janë të bindur nëse janë të sigurta. Akademikët e quajnë grupin e fundit “hezitant ndaj vaksinave”.

Shqetësimet për vaksinimet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por nuk është e thënë se gjithmonë mbahen nga njerëz që nuk përfshihen me pikëpamje ekstreme dhe teori konspirative. Shumë njerëz janë shumë të arsimuar dhe kanë po aq të ngjarë të jenë liberalë, aq sa konservatorë. “Nëse doni të masni se ku lëvizja kundër vaksinimit është më e fortë, vetëm shikoni për supermarketin tuaj më të afërt,” thotë Barry Bloom, një profesor i shëndetit publik në Universitetin e Harvardit, duke iu referuar zinxhirit të supermarketeve. Njerëzit që studiojnë fenomenin thonë se që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ata kanë filluar të gjejnë në to materiale kundra-vaksinimit të shpërndarë midis një grupi shumë më të gjerë njerëzish.

“Studiuesit e mi kanë gjetur grupe në Facebook të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vaksinimet, ama papritmas kanë filluar të shpërndajnë keqinformime rreth tyre”, thotë Prof Larson. “Ka shumë zemërim dhe emocion në botë tani, dhe debati rreth vaksinave ka qenë një mundësi që kjo ndjenjë të fryhet më tej.”

Një shembull i kësaj është se si mbështetësit e QAnon, një rrjet pro-Trump me teoricienë konspirativ, gjithnjë e më shumë po shpërndajnë material kundra vaksinimit. Anëtarët e profilit të lartë kanë promovuar teorinë e rreme se koronavirusi është zhvilluar dhe përhapur qëllimisht nga Bill Gates, bashkëthemeluesi dhe mbështëtësi kryesor i fushatës pro-vaksinimit.

Pjesa më e madhe e dyshimit buron nga shpejtësia marramendëse me të cilën po zhvillohen vaksinat e koronavirusit. Rekordi i mëparshëm për zhvillimin e një vaksine ishte katër vjet dhe kjo ishte më shumë se pesë dekada më parë. Nëse një vaksinë provohet të jetë e suksesshme në tetor, do të thotë që është dashur vetëm 8 muaj për ta prodhuar.

Edhe disa drejtues të shoqërive farmaceutike, si Ken Frazier, shefi ekzekutiv i Merck, kanë paralajmëruar rreziqet e lëvizjes së shpejtuar. Anti-vaksinuesit gjithashtu janë fokusuar në faktin se disa zhvillues janë duke përdorur një teknologji relativisht të re të quajtur “transmetuesi RNA”, që përpiqet të ndryshojë mekanizmin që prodhon proteinat e trupit.

Në fund të qershorit, Carrie Madej, një mjeke nga Gjeorgjia, që prej një kohe të gjatë është kundër vaksinave, publikoi ​​një video në YouTube që është parë më shumë se 407,000 herë, në të cilën ajo kombinoi të vërtetat në lidhje me vaksinat e mRNA – siç është fakti që ato po studiohen te njerëzit pa u testuar fillimisht te kafshët – me teori të çuditshme. Mjekja paralajmëron se vaksinat dhe “produktet ndihmëse” si aplikacionet shëndetësore mund të përdoren për të “krijuar një specie të re” që mund të lidhet me “një ndërfaqe të inteligjencës artificiale”. Videoja përfundon me një lutje të përlotur nga Dr Madej për shikuesit e saj, të cilët ajo nxit që ta “shpërndajnë sa më shumë këtë material në mediat sociale “.

Fushata e fryrë si me steroide

Dr. Madej ka të drejtë për një gjë: beteja për të ndikuar opinionin publik mbi vaksinat do të fitohet ose humbet në internet, sipas Neil Johnson, një profesor fizike në Universitetin George Washington. Prof Johnson kohët e fundit botoi një artikull në revistën shkencore Nature duke duke arritur në konkluzionin se lëvizja kundër vaksinimit po fitonte luftën e informacionit në internet sepse ishte e organizuar rreth “grupimeve” më të vogla që ishin në gjendje të depërtonin në grupe të njerëzve të pavendosur. Ai thotë se lëvizja i ka rrënjët në lëvizjen kundër vaksinimit të fruthit, që është rishfaqur vitet e fundit, dhe po kjo lëvizje është fajësuar për një varg shpërthimesh.

”Që prej vitit 2019, komunitetet [kundër vaksinimit] janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe është pothuajse sikurse e gjithë gjëja është në një lloj mbivendosjeje, si e fryrë me steroidi,” thotë ai. “Janë grupet e prindërve, shoqatat e prindërve të shkollës – njerëz që kurrë nuk flisnin zakonisht për vaksina, por tani ata janë absolutisht të angazhuar”.
Administratorët e grupeve në internet janë përqendruar në fluksin e lajmeve që rrethojnë vaksinat dhe janë të shpejtë për të shfrytëzuar zhvillimet që mund të përdoren për të mbështetur qëndrimin e tyre. Në fillim të këtij muaji, grupet anti-vaksinë në Facebook u ndezën me lajmet se AstraZeneca kishte siguruar mbrojtje për përgjegjësinë e detyrimit të lidhur me vaksinën e tyre; administratorët e paraqitën atë si provë se prodhuesi i drogës e njeh se kjo do të shkaktojë efekte serioze anësore dhe po përpiqet të mbrojë veten.

Grupet kundër vaksinimit gjithashtu kanë një përhapje të mesazheve të ndryshme që tërheqin njerëz të ndryshëm, vëren Prof Johnson, duke përfshirë: frikën e sigurisë; dyshimi nëse Covid-19 paraqet me të vërtetë një rrezik, veçanërisht për të rinjtë dhe fëmijët; skepticizëm për rolin e industrisë farmaceutike dhe mbështetësve standardë për vaksinimet si Z. Gates; dhe një mosbesim i përgjithshëm i shkencës.

Edhe nëse një person i pavendosur nuk ndikohet nga të gjitha këto argumente, vetëm një prej tyre është i mjaftueshëm për t’i bërë ata të hezitojnë, thotë ai. “Secili prej tyre ka efekte të ndryshme përkundrejt mesazhit të zakonshëm pro-vaksinë, i cili është thjesht, ‘bëni vaksinën tuaj, është mirë për ju’,” shton ai.

Dukshmëria e virusit

Një pyetje që shqetëson ekspertët e shëndetit publik është se sa lëvizja anti-vaksinim po rritet në mënyrë organike, dhe sa po nxitet nga një grup i vogël aktivistësh, por të mirë organizuar dhe financuar mirë.

Një studim vitin e kaluar zbuloi se shumica e reklamave kundër vaksinimit në Facebook buronin nga vetëm dy burime: një organizatë kaliforniane e quajtur Stop Vaksinimit të Detyrueshëm dhe Projekti i Mërkurit Botëror, të kryesuar nga Robert F. Kennedy Jr., djali i Robert F. Kennedy, që është i spikatur në fushatat anti-vaksinim.

Stop Vaksinimet e Detyrueshme drejtohet nga Larry Cook i cili e përshkruan veten si një avokat për “mënyrë jetese natyrale”, i cili kërkon donacione në faqen e tij të internetit për kauzën e tij, të cilat hyjnë drejtpërdrejt në llogarinë e tij personale bankare, sipas faqes së tij të internetit. Kushdo që qëndron pas rritjes së fushtës anti-vaksinimit, zyrtarët e shëndetit publik në SH.B.A. e dinë se duhet të veprojnë shpejt për ta ndaluar atë, nëse dëshirojnë të sigurojnë që çdo vaksinë Covid-19 të sigurojë imunitet të tufës.

Artikulli i mëparshëmKujt i bëhet vonë? Në vendet e pasura, gati gjysma e të gjithë të vdekurve nga Covid-19 vijnë nga azilet e pleqve
Artikulli i radhësRama flet për ‘detin’: Duam ta arrijmë marrëveshje, por deri më sot s’kemi folur me Mitsotakis