Vetëm në muajin Gusht në Tiranë janë arrestuar 8 persona që shisnin drogë. Por si dhe ku shitet droga në Tiranë? Televizioni Klan, referuar të dhënave nga policia, ka identifikuar disa nga zonat e nxehta ku shitet hashashi në kryeqytet.
Dy nga zonat më problematike sipas burimeve policore janë Lapraka dhe ish-Parku i Autobusëve. Në Laprakë mendohet se veprojnë të paktën 4 grupe që merren me shitjen e hashashit.
Por nuk ngelet pas edhe zona e ish-Parkut të Autobusëve, e cila dihet për këtë fenomen dhe vetëm pak ditë më parë policia ka arrestuar një shpërndarës.
Referuar hetimeve që ka bërë policia, droga shitet edhe në periferitë e Saukut, pas zonës së ish-stacionit të Trenit në disa rrugica. Në Don Bosko raportohen me dhjetëra raste ku shitet drogë.
Gjithashtu ish-Fusha e Aviacionit mbetet një problem për policinë, ndërsa shitje ka edhe në Kombinat dhe Astir.
Shitje lëndësh narkotike bëhet edhe në Qytetin “Studenti”, aty ku ka dhe shumë të rinj, pranë fushave të “Ali Demit”. Po kështu zona e Kinostudios dhe pranë Liqenit Artificial, ka grupe të vogla personash që merren me lëndën e jashtëligjshme.
“Në Tiranë një qese hashashi, ashtu siç e quajnë përdoruesit normalë të kanabisit kushton rreth 5 mijë lekë të vjetra. Shpërndarësit përdorin këtë lloj qeseje farmaceutike për të shitur lëndën narkotike. Sipas të dhënave policore ka një rritje të rasteve të të rinjve që merren me shitjen e drogës”, raporton gazetari Driçim Çaka.
Nisja e vitit të ri shkollor, sipas ekspertëve duhet të ngrejë alarmin, pasi shumë persona tentojnë t’u shesin drogë edhe adoleshentëve.
Pavarësisht kontrolleve të policisë, ka një rritje të personave që po shesin drogë në Tiranë. Kanabisi është një lëndë që le pasoja, sidomos për zhvillimin e trurit, prandaj shpesh bëhet apel që të qëndroni larg kësaj substance të rrezikshme. /Tv Klan